Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore kanë thënë se sivjet s’pritet të ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, pavarësisht ngritjes së çmimit me të cilin importohet. Të dy kanë thënë se një gjë e tillë megjithatë s’mund të përjashtohet për vitin e ardhshëm.
Në debatin në emisionin “Desku” në KTV për ngritjen e çmimeve së fundmi, Rukiqi dhe Abazi kanë vënë fajin te zhvillimet ndërkombëtare dhe ngritjen enorme të çmimit të gazit. Të dy kanë thënë se ngritja e çmimeve dëshmon se ekonomia është çështje globale dhe jo vetëm lokale.
“S’jemi imunë sepse importojmë një numër të madh të produkteve dhe kjo ndikon në shportën e konsumatorit dhe koston e prodhimit vendor pasi që pjesa më e madhe e lëndës së parë importohet. Impakti do të jetë në çmimet e produkteve, mallra apo shërbime. Kemi edhe çështjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Në ngrohje, prodhim e nevoja të ndryshme të amvisërive dhe bizneseve përdoret energjia dhe zakonisht gjatë dimrit kur rritet kërkesa, kur kërkohet më shumë për nevoja për ngrohje ne s’i plotësojmë kërkesa me prodhimin që e kemi bazuar në Termocentralin Kosova A dhe Kosova B. Duhet të importojmë. Ne e kemi një vlerësim të të hyrave maksimale të lejuar për operatorë në rregullatorin energjetik. S’është paraparë rritje e çmimeve këtë vit, s’do të ketë fatura më të shtrenjta, por s’do të thotë që nëse sasia e importit është më e madhe se ajo që është planifikuar në të hyrat e planifikuara, kjo rritje s’do të përcillet vitin tjetër”, ka thënë Rukiqi.
Në anën tjetër, Abazi ka folur më shumë për krizën globale që ka thënë se vjen si pasojë e mungesës së gazit dhe rritjes së kërkesës për të.
“Evropa e Kina janë përgjegjëse për 75 për qind të prodhimit global. Në energji, ne si konsumatorë fundorë s’do të prekemi në dimër sepse ZRRE-ja e ka bë të qartë se s’do të ketë përshtatje.... edhe pse ka ndodhur njëherë dhe këta dinë të kenë parashikime të jashtëzakonshme. Megjithatë në këtë kohë s’ka kushte për rishikime të jashtëzakonshme. Ajo parashihet në avari edhe pse atëherë është dashur të ishte vetëm e përkohshme, por te ne mbeti. S’presim të ketë rritje të menjëhershme të energjisë”, ka thënë ai.
Rukiqi ka treguar se zanafilla e krejt telasheve është nga Kina ku disa miniera janë mbyllur për shkak të kërkesave të punëtorëve për përmirësim kushtesh të punës dhe menjëherë kjo është përcjellë me kërkesë për gaz.
Abazi ka thënë se kriza vjen edhe për shkak se shtetet kanë nisur të rikthejnë aktivitetet ekonomike pas telasheve me pandeminë dhe kjo kërkon më shumë energji.