Arbëri

Jashari: Bekimi ka qenë dhe mbetet i pavarur, s’ka marrëveshje për koalicion

Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se kanë filluar të dalin në pah lojdërat siç i ka quajtur, të ndyra të individëve e grupeve të caktuara brenda partive politike.

Jashari përmes një statusi në Facebook ka thënë se në zgjedhjet e 17 tetorit janë bërë bashkë me individë të PDK-së ata që e kritikuan dhe shpifën për qeverisjen e tij për 4 vite.

“Ata që për 4 vite nuk lanë asgjë pa kritikuar e shpifur për qeverisjen time, në këto zgjedhje qenkan bërë bashkë me individ të PDK-së kundër meje siç dëshmojnë vetë komisionerët e vëzhguesit e tyre, të cilët duke mos u kontaktuar nga partia e tyre për të sjellur dëshmi për manipulim të procesit zgjedhor tani po vijnë tek ne sepse partia e tyre nuk ishte dhe nuk është e interesuar të sjellë drejtësi për zgjedhjet e 17 tetorit. Deklaratat e z. Mehani që Skenderaj duhet të shkojë në ri-votim është edhe një deklaratë tjetër e porositur për të na identifikuar si të afërt me VV-në, siç ishte dhe vendimi për mos kandidim të tyre për kryetar të Skenderajt, pasivizimi i tyre në fushatë dhe heshtja e tyre para keqpërdorimeve në ditën e votimit”, ka shkruar Jashari.

Sipas tij, Mehani gjatë tërë fushatës parazgjedhore ka propaganduar se kinse ai është me VV-në, pasi që VV-ja nuk i vuri kundërkandidat.

“Kjo ishte propaganda që më së shumti përdoren ata që nuk e kishin as edhe një fakt të vetëm pse nuk duhet votuar Bekim Jashari, nuk e kishin as edhe një dëshmi kundër qeverisjes sime me duar të pastra. Ata që përveç propagandave të ulët kundër meje, bënë marrëveshje me serbet e Bajës dhe Syriganës, të cilët i votuan me shumicë, ata që blenë votat e qytetarëve me para, kërcënuan e shantazhuan mbështetësit tonë, ata që blenë komisionerët, vëzhguesit si dhe ata që përdoren trenin bullgar për të përmbysur rezultatin. Unë e kam thënë dhe e përsëris sa herë që ka nevojë që Bekimi ka qenë dhe mbetet i pavarur dhe nuk ka asnjë marrëveshje apo koalicion me asnjë parti politike dhe i tillë do të mbetem”, ka shtuar Jashari.

Ai ka kërkuar që drejtësia të thotë fjalën e saj dhe të zbardhet çdo parregullsi në procesin zgjedhor të 17 tetorit.

Bekim Jashari ka marrë 40.64% të votave në zgjedhjet e 17 tetorit ndërkaq kundërkandidati i tij nga PDK-ja, Fadil Nura ka marrë 57.99% të votave.