Arbëri

Ibrahimi: Dje qytetari e rikonfirmoi zhvillimin e demokracisë

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se në ditën e zgjedhjeve qytetarët e kanë rikonfirmuar zhvillimin e demokracisë, duke qenë sovrani ai që jep verdiktin final.

Ibrahimi ka thënë për KTV-në se zgjedhja e kryetarit të komunës drejtpërdrejt nga vota e qytetarit është e duhur, pasi kjo do t’i angazhojë kryetarët e komunave që të jenë aktiv në takime me qytetarin.

“Deri në 2007 kemi pasur zgjedhje lokale por me lista të mbyllura, dhe në bazë se sa pikë ka marrë partia fituese, aq numër kanë shkuar në kuvende komunale. Tash kryetari mund të shkojë me ekipin e tij në komunë për të qeverisur. Në bazë të hulumtimeve është parë që qytetarët janë të kënaqur me punën e kryetarëve. Komunat kanë qenë të angazhuara me drejtoritë e tyre, por këta ua kanë lënë në dorë qytetarit dhe qytetari vendosi. Është shumë mirë që kemi pasur një reformë të thellë sa i përket pushtetit lokal, lidhur me punën ose mospunën e kryetarit. Tash qytetari e ka mundësinë të vlerësojë punën”, ka thënë ai.

Ai potencoi se kryetarët e komunave punojnë gjatë 4 vjetëve që ta sigurojnë votën për zgjedhjet e ardhshme, duke bërë kështu takime rreth problematikave që qytetarët i kanë.

“Kryetari i komunës gjatë 4 vjetëve lufton që ta mbajë pushtetin edhe për 4 vjet, tash kryetari është aktiv dhe i takon qytetarët, në mënyrë që ta marrë rikonfirmimin. Jeta është shumë dinamike në komunat e Kosovës, jeta zhvillohet në komuna, jo në Qeveri”, theksoi tutje.

Duke folur për punët e kryetarëve të komunave, Ibrahimi i përmendi punët që një kryetare komune i ka për detyrë, me theks të veçantë asfaltimin e rrugëve, rregullimin e çështjes së mbeturinave, ujin e pijshëm e të tjera.

“E kam përcjell fushatën ,edhe pse në kushte pandemie kanë qenë disa kufizime. Në disa raste kam vërejtur që ka projekte të realizueshme e objektive, mund të realizohen, por kam parë projekte që s’mund të përmbyllen për një mandat, apo projekte që janë në proces. Është mirë që fushata ka kaluar pa tensione, ku patëm dje rezultatin”, tha Ibrahimi.

“Kryetarët e komunave kanë bërë shumë punë, që sikur të mos ishim bashkë nuk do të ndodhin. Prioritet i tyre ka qenë ruajtja e shëndetit publik, çdo komunë është marrë me çështjen e pandemisë. Kryetarët e komunave janë në ballë të fronteve të ndryshme. Nëse dikush dëshiron të bëhet ministër ,është mirë të kalojë në filtrat e nivelit lokal.”