Arbëri

Në dialog s’pritet diçka historike të paktën deri pas zgjedhjeve në Serbi

Descriptive Text

Zgjedhjet në Kosovë këtë vit e ato në Serbi vitin e ardhshëm pritet të ndikojnë në ecurinë e dialogut mes dy shteteve. Derisa nga SHBA-ja kanë kërkuar angazhimin e të dyja palëve në këtë proces, njohësit e dialogut nuk janë optimistë se do të ketë përparim. Lidhur me pritjet nga dialogu e për takimin e radhës nuk kanë pranuar të përgjigjen Qeveria e Kosovës e as Bashkimi Evropian

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar angazhim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas SHBA-së, arritjen e marrëveshjes për targat duhet ta shfrytëzojnë të dyja palët për të arritur një marrëveshje finale.

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Eric Brassil, ka thënë se marrëveshja e arritur më 30 shtator ka dëshmuar se "kur udhëheqësit kosovarë dhe ata serbë lënë mënjanë dallimet dhe angazhohen në mënyrë konstruktive, fleksibile, konstruktive dhe me urgjencë, ata mund të gjejnë gjuhë të përbashkët që përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve".

"Kosova dhe Serbia duhet të përdorin vrullin, nga ky sukses i përbashkët të riangazhohen për të gjetur zgjidhje për çështje të tjera të pazgjidhura si pjesë e procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar Brassil. Por një angazhim në kuadër të këtij procesi nuk është vërejtur nga ekzekutivi. Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që nga qershori janë mbajtur vetëm dy takime të nivelit të lartë. Që të dyja, pa ndonjë dakordim. Përveç atij të 15 qershorit e të 19 korrikut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për pak kohë janë bërë bashkë edhe gjatë mbajtjes së Samitit të Bërdos në Slloveni. Pjesë e takimit ishin edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Por Kurti e Vuçiq ishin të rezervuar lidhur me atë se çfarë është diskutuar mes tyre. Pas takimit, Kurti tha se me Merkelin, Macronin e Vuçiqin kanë diskutuar për Procesin e Berlinit.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e këtij procesi dhe të bashkëpunimit rajonal "në shërbim të avancimit të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian". Kurse Vuçiqi tha se të gjithë e kanë kuptuar se "pa e zgjidhur problemin me Prishtinën, Serbia nuk mund të jetë anëtare e BE-së".

E për këtë takim, por edhe për atë se si do të ecë procesi i dialogut tash e tutje, detaje nuk kanë dhënë as nga Qeveria e Kosovës që nga e enjtja. Duke parë ecurinë e deritanishme, por edhe proceset zgjedhore që pritet të zhvillohen në Kosovë e Serbi, deri në mesin e vitit tjetër, njohësit e procesit të dialogut nuk janë optimistë.

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se dialogu do të ngelet në vend mes zgjedhjeve të tetorit në Kosovë e atyre të prillit në Serbi.

“Posa të përfundojë procesi zgjedhor në Kosovë pritet të fillojë ai në Serbi. Tremujori i këtij viti edhe 3-4 mujori i vitit të ardhshëm pritet të kenë këso rrethanash, pra në kontekst zgjedhor dhe nuk besoj që mund të ketë ndonjë përparim shumë domethënës në dialog, e aq më pak në një marrëveshje historike”, ka thënë Haxholli.

Sipas saj, gjatë kësaj kohe do të vazhdohet me diskutime mes delegacioneve të të dyja shteteve, por pa ndonjë zhvillim konkret në funksion të rrugës finale drejt përfundimit të bisedimeve me një marrëveshjeje përfundimtare.

Lidhur me planifikimet e takimeve të radhës mes Kosovës dhe Serbisë përgjigje nuk kanë dhënë as nga Bashkimi Evropian.

Që nga korriku, kur është mbajtur takimi i fundit i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, e deri më tash, janë zhvilluar disa takime mes delegacioneve të të dyja shteteve. Njëri nga ta është ai i 30 shtatorit, kur edhe është arritur marrëveshja për targat, e cila çoi në zhbllokimin e situatës në veri të vendit.