1 perditesime
23:19

Azemi: Qeveria nuk po e lufton informalitetin, paratë nuk kanë shkuar te punëtorët por te kompanitë

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se duhet të rritet numri i inspektorëve. Ai ka thënë se qeveritë deri në ardhjen në pushtet po ofrojnë gjithçka, por nuk po i realizojnë premtimet për punëtorët.

Azemi ka thënë se plani i Ministrisë së Financave që do të luftojë informalitetin dhe punëtorët që regjistrohen formalisht në tregun e punës mund të marrin disa para nga Qeveria, është thithje e subvencioneve. Ai thotë se paratë kanë shkuar tek akterë që nuk është dashur të shkojnë dhe se punëtorët nuk i kanë marrë paratë e premtuara.

“Ne e shohim si thithje të subvencioneve që u jep Qeveria. Nga Pakoja Emergjente kjo qeveri por edhe tjetra tha se po i stimulojmë kompanitë që të regjistrojnë punëtorët e rinj ku do ti paguajnë 170 euro dhe për një periudhë tre muaj nga 100 euro. Në momentin që punëtorin e ka regjistruar, pas 3 muajsh nuk ka paguar asnjë kontribut, edhe pse ne bazë të vendimit të Qeverisë ka qenë i obliguar që pronari ta mbajë atë punëtor për një vit dhe t’i kryej obligimet në vazhdimësi. Këto janë politika që mund të shiten te dikush që nuk merr vesh në këtë natyrë. Nuk luftohet informaliteti me para, por me bashkëpunim me inspektoratin, Ministrinë e Punës, sindikatën dhe pronarët e kompanive. Kjo është vetëm djegie e parave, që pjesa më e madhe e parave ndoshta ka shkuar te pushtetarët, sepse në Pakon Emergjente janë bë ndoshta marrëveshje nën tavolinë dhe miliona kanë shkuar në emër të kompanive por jo të punëtorëve”, ka thënë Azemi.



23:06

Azemi: Premtimi i kryeministrit Kurti për pagë minimale 250 euro është qesharak

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka thënë se Qeveria Kurti II nuk është duke bërë asgjë për punëtorët e sektorit privat në Kosovë.

Duke folur në “Interaktiv” të KTV-së për zotimin e kryeministrit Kurti për rritje të pagës minimale në 250 euro, Azemi ka thënë se kjo është qesharake.

Sipas tij, në Kosovë afro 1,000 punëtorë të sektorit privat paguhen me pagë minimale, prej 170 ose 180 euro.

“Rreth 1,000 punëtorë në nivel të Kosovës paguhen me pagë minimale dhe ato janë kryesisht kompani publiko-private që kryejnë shërbime në Qeveri apo në mjekësi. Pagën minimale kryeministri me qeverinë e vet le ta mbajnë për veti. Nuk ka punëtorë që së fundmi ka nënshkruar pagë 250 euro. Bëjmë thirrje që punëtorët në asnjë moment të mos nënshkruajnë pagë nën 400 euro. Tash për tash nuk ka që nënshkruajnë kontratë në pagën 350 euro, paga 250 euro është sikurse të flasësh për borën e parvjetme, është qesharake që një kryeministër të flasë për pagë minimale 250 euro”, ka thënë Azemi.

Ai ka shtuar se nuk është bërë as puna më e vogël në raport me sektorin privat.

“Qeveria Kurti II deri më tani asnjë favor, as më të voglin nuk e ka bërë për sektorin privat. Ka premtuar nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, nuk e ka nënshkruar. Përgjigja e tyre ka qenë heshtja. Kemi bërë presion edhe te presidentja e shtetit, por definitivisht edhe qeveritë e kaluara kanë premtuar shumë por megjithatë kanë lëvizur diçka ndërkaq për këtë Qeveri nuk ekzistojnë punëtorët e sektorit privat”, ka thënë Azemi.