5 perditesime
16:49

Kurti pas takimit me Vuçiqin: Mbështesim marrëveshjet ku trajtohemi barabartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbështet marrëveshjet ku shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen të barbarta.

“Në takim me kancelaren Merkel, presidentin Emanuel Macron dhe presidentin e Serbisë, diskutuam për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave”, ka shkruar Kurti në Twitter pas sesionit të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Slloveni.

“Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, ka përfunduar ai.

15:12

Kurti takon Vuçiqin, presidenti serb i lumtur me qasjen e Macronit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media pas sesionit të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Slloveni, tha se ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e në takim prezentë ishin edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Vuçiqi nuk dha detaje se për çfarë është folur në takim, por tha se i ka shtruar një pyetje Kurtit.

“Në një pyetje që i shtrova Kurtit, Macroni e kuptoi shumë mirë. Në fakt e kuptojnë të gjithë”, tha Vuçiqi, duke mos dhënë më shumë detaje.

Por, përsëriti mesazhin për anëtarësimin e Serbisë në BE. Tha se pa zgjidhjen e Kosovës nuk ka BE për Serbinë.

“Pa zgjidhje të problemit me Kosovën, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Këtu nuk ka asnjë dyshim. Tash a duhet të njohim apo jo, këtë nuk mund ta them, pasi nuk ma ka kërkuar askush. Ndoshta mund të flitet korridoreve, por mua nuk ma ka kërkuar askush”, ka thënë Vuçiqi.

10:45

Kurti do të takohet me Vuçiqin, prezentë do të jenë edhe Merkeli e Macroni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të takohet sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që ka nisur në Kranj të Sllovenisë.

Kurti, përcjell Euronews, tha se me Vuçiqin do të takohet në pauzën mes dy sesioneve të samitit dhe se prezentë në takim do të jenë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë e ndërkohë na duhet një marrëveshje”, ka thënë Kurti. “Fondet evropiane nuk shkojnë pa vlera evropiane”.


Kurti merr pjesë në takimin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë

Në prag të Samitit në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë.

Në këtë takim të familjes politike të social-demokratëve të Evropës u bë thirrje për dialog të fokusuar në arritjen e një të ardhmeje paqësore evropiane për Ballkanin Perëndimor. Fryma dhe tradita evropiane e dialogut dhe solidaritetit është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe perspektivën evropiane në Ballkanin Perëndimor, u tha në takim.

Sipas njoftimit, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të jetë i besueshëm dhe i qëndrueshëm dhe Këshilli Evropian duhet të dërgojë një mesazh të qartë mbështetjeje për zgjerimin, për perspektivën evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor, u theksua në takimin e sotëm që mbajtën kryeministrat dhe udhëheqësit nga Partia e Socialistëve Evropianë dhe partitë simotra të saj nga rajoni.

“Në këtë takim morën pjesë: Sergei Stanishev, President i Partisë së Socialistëve Evropianë, Antonio Costa, Kryeministër i Portugalisë, Pedro Sanchez, Kryeministër i Spanjës, Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së, Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, Tanja Fajon, udhëheqëse SD, Slloveni, Pedja Grbin, udhëheqës i SDP, Kroaci, Fofi Gennimata, udhëheqëse PASOK, Greqi, Alexis Tsipras, udhëheqës Syriza, Greqi, Sasa Magazinoviq, kryetar SPD, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Giacomo Filibeck, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Partisë së Socialistëve Evropianë”, thuhet në njoftim.

10:01

Kurti në Samitin e Sllovenisë kërkon liberalizim vizash e integrim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Sllovenisë ka bërë thirrje për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës. Vonesën e liberalizimit e ka cilësuar padrejtësi të madhe të institucioneve evropiane. Ai ka kërkuar edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur Komisioni Evropian rekomandoi për të dytën herë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e madhe, mungesë e drejtësisë karshi qytetarëve tanë që kanë vuajtur shumë. Shpresojmë që ky samit do të bëjë që BE-ja t’i qëndrojë besnikë esencës së vet, zgjerimit. Si projekti më i madh historik i paqes dhe prosperitetit që nga lufta e dytë botërore, BE-ja duhet të zgjerohet që të jetë Evropa. Ballkani Perëndimor i mungon BE-së për t’u bërë Evropë”, ka thënë ai në hyrje të këtij samiti.

Kurti ka shtuar se Kosova nuk do të ketë sytë kah Rusia e Kina përkundër vonesave që po bëhen nga BE-ja për integrim.

Zgjidhjen e duhur nga dialogu Kosovë-Serbi ai e ka përmendur vetëm njohjen.

09:25

Për shkak të Kosovës, Spanja s’pranon simbole shtetërore në Samitin e Sllovenisë

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të mërkurën do të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, në Slloveni, e ku do të marrë pjesë edhe Kosova. Megjithatë, siç shkruan mediumi katalonjas “El Nacional”, Spanjës i është garantuar që pasi nuk e njeh Kosovën si shtet, s’do të ketë simbole që e identifikojnë si të tillë.

Në Samitin e sivjetmë do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vitin e shkuar ai u mbajt me videokonferencë për shkak të pandemisë. Herën e fundit që pati mbledhje fizike ishte viti 2018, ku Spanja refuzoi të merrte pjesë për shkak të Kosovës.

Siç shkruan ky medium, edhe vitin e shkuar nuk ka pasur simbole që e identifikojnë Kosovën si shtet dhe se kjo s’do të ndodhë as sivjet, me kërkesë të Spanjës.

Nuk pritet që të ketë asnjë flamur apo simbol të asnjë shteti që zakonisht janë pjesë e tavolinës.

Pos Spanjës, janë edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian që s’e njohin Kosovën: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia. Liderët e BE-së mblidhen në Bërdo me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.

Edhe pse Spanja s’e njeh Kosovën, ajo mbron dialogun Kosovë – Serbi deri në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese. Ky shtet ka shprehur përkrahjen për zgjerim të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor “por duke i përmbushur të gjitha kriteret”.

08:42

Sot mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, merr pjesë edhe Kurti

Në Bërdo, afër Kranjit të Sllovenisë, sot do të mbahet Samiti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Atje pritet të bëhen bashkë liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, e pjesëmarrës do të jetë edhe i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Aty pritet të ketë edhe nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Samiti është pjesë e angazhimit strategjik të BE-së me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me agjendën strategjike 2019-2024. Ai pason samitin BE-Ballkan Perëndimor 2018 në Sofje dhe samitin 2020 BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb, i cili u mbajt përmes video-konferencës.

Për sesionin plenar, drejtuesve do t'u bashkohen përfaqësues të Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Në fund të takimit, udhëheqësit e BE -së pritet të miratojnë një deklaratë, me të cilën liderët e Ballkanit Perëndimor janë të ftuar të përafrohen. \ksp