Kujdes i shtuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, është kërkuar nga shoqëria civile, sidomos për komunat me shumicë veriore, pas zhvillimeve të fundit në këtë pjesë të vendit. Procesi zgjedhor i 17 tetorit pritet të monitorohet nga 100 vëzhgues të BE-së. Për të mbikëqyrur zhvillimin e tyre, në vend do të qëndrojë edhe një delegacion prej shtatë anëtarësh i Parlamentit Evropian, i kryesuar nga eurodeputetja Viola Von Cramon.
Shqetësimeve të vazhdueshme rreth integritetit të zgjedhjeve në veri, procesit të 17 tetorit u janë shtuar edhe tensionet e fundit atje.
Mobilizimi i serbëve për barrikadat e vendosura në Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe provokimet e herëpashershme ushtarake nga Serbia, pritet të ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, që monitorojnë zgjedhjet, institucionet duhet të kenë kujdes edhe më të shtuar kësaj radhe.
Erblin Hoxha, nga Lëvizja Fol, thotë se veprimet e fundit në pjesën veriore kanë ndikuar në rritjen e mobilizimit të strukturave ilegale në veri, pak javë para zgjedhjeve atje.
“Ky veprim i vonshëm edhe i fundit në pjesën veriore të Kosovës unë mendoj që ka për të përkeqësuar gjendjen dhe kjo ka për t’ua pamundësuar organeve të shtetit që të munden me pasë qasje atje e sidomos gjatë zgjedhjeve me bo monitorim. Duket sikur kjo ofensiva e fundit i ka dhënë njëfarë fuqie më të madhe strukturave në veri për të treguar se metodat e tyre munden të bllokojnë proces, për të vonuar proces ose për të shkaktuar probleme”, është shprehur Hoxha.
Kurse, sipas Allen Metës, hulumtues në Demokracia për Zhvillim, institucionet e drejtësisë do të duhej ta kishin tërë vëmendjen në zgjedhjet që do të zhvillohen në pjesën veriore të vendit.
“Meqë situata e fundit ka ngritur tensione në veri të vendit, kjo mund të reflektojë edhe në zgjedhjet komunale në veri të vendit. Mirëpo, periudha zgjedhore në përgjithësi nuk ka prodhuar ndonjë pasojë, e cila do të minonte procesin në përgjithësi. Kjo është edhe si rrjedhojë e punës dhe organizimit të mirë të KQZ-së. Në këto zgjedhje po ashtu do të jenë të pranishme edhe organizata ndërkombëtare e vendore, të cilat do ta monitorojnë procesin zgjedhor në çdo pjesë të vendit. Komunat me shumicë serbe në veri të vendit, në përgjithësi kanë pasur probleme të cilat kanë qenë si rrjedhojë e tentimit të keqpërdorimeve, apo edhe shkeljeve të tjera të ligjit zgjedhor. Duke iu referuar ngjarjeve të fundit do të ishte mirë të ketë fokus të veçantë të organeve të drejtësisë, që të parandalojnë ndonjë shkelje të mundshme të ligjit zgjedhor”, ka thënë ai.
Procesi zgjedhor, këtë vit do të mbikëqyret nga rreth 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, shto këtu edhe delegacionin prej shtatë anëtarësh të Parlamentit Evropian, në krye me eurodeputeten Viola Von Cramon.
Në një përgjigje për KOHËN, shefi i misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovës, Lukas Mandl, ka thënë se nuk mund ta paragjykojnë atë që mund të ndodhë.
“Si vëzhgues ndërkombëtarë, qëllimi ynë nuk është të ndikojmë në proces, por ta vëzhgojmë hollësisht dhe të raportojmë sinqerisht mbi gjetjet dhe përfundimet tona, edhe nëse ndonjëherë ndodh që vetë prania e vëzhguesve tanë mund të kontribuojë në zgjedhje më të mira. Ne jemi të lidhur në mënyrë strikte me mandatin dhe obligimin tonë për të mos komentuar asgjë në lidhje me zgjedhjet para ditës së zgjedhjeve. Ne vëzhgojmë gjithçka që lidhet me procesin zgjedhor dhe ofrojmë vlerësimin e të gjithë procesit që nga regjistrimi i kandidatëve në fushatë, votimi e numërimi. Kjo gjithashtu përfshin infrastrukturën dhe sjelljen e duhur të njësive administrative që menaxhojnë zgjedhjet. E kjo vlen jo vetëm për veriun, por për çdo cep të Kosovës. Ne nuk përqendrohemi në ndonjë zonë të veçantë dhe përpiqemi të kemi një mbulim dhe vlerësim të balancuar të të gjithë territorit. Ne përmbahemi nga çdo spekulim për atë që mund ose nuk mund të ndodhë. Ne vëzhgojmë në mënyrë objektive dhe pa paragjykime. Pa asnjë lidhje me çfarëdo qëndrimi jo vetëm në Kosovë, rreziqet në të gjithë botën për zgjedhjet demokratike janë mungesa e transparencës dhe besimit publik”, ka deklaruar Mandl.
Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, thonë se nuk kanë pasur ndonjë problem në përgatitjet që bëjnë, derisa për pjesën e sigurisë, përgjegjës janë institucionet e tjera.
“KQZ-ja për aq sa na takon si institucion është duke vazhduar përgatitjet për organizimin teknik të një procesi zgjedhor. Erdhe në këto komuna ngjashëm sikurse në të gjitha komunat e tjera janë duke u zhvilluar në mënyrë të njëkohshme, sepse janë afatet, aktivitete të cilat duhet të kryhen njësoj në të gjitha komunat e Kosovës pavarësisht se secila prej tyre është zonë e veçantë zgjedhore”, është shprehur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Lidhur me këtë temë, KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me kandidatët për kryetar në komunat me shumicë serbe, si Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, por nuk ka marrë përgjigje.