Arbëri

Vitia dorëzon postin, ia kalon përgjegjësinë Gexhës

Arben Vitia ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, për të filluar edhe fushatën si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Ai ka njoftuar dorëheqjen e tij zyrtare nga detyra dhe kalimin e përgjegjësisë te zvministrja Dafina Gexha.

“Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë që më pati ngarkuar kryeministri Kurti ndaj të cilit do jem mirënjohës. Jam thellë i prekur nga solidariteti dhe përpjekja për të ndjekur udhëzimet nga qytetarë që treguan mirëkuptim dhe kulturë duke mbrojtur shëndetin publik. Po ia transferoj përgjegjësinë stafit të ministrisë, dhe në nivelin politik zvministres Dafina Gexha”, ka thënë ai.

Vitia ka paraqitur situatën gjatë drejtimit të dikasterit të shëndetësisë nga ai përgjatë gjendjes me pandeminë me COVID-19.

“Jam i lumtur që para jush duke u bazuar mbi raportime të Institutit them se vala e katërt nga varianti delta për momentin është vënë nën kontroll. Duke ditur që varianti ka qenë ndër më të transmetueshmit, akoma nuk mund të flasim për relaksim. Vala delta si më e rënda ka shkaktuar pasoja të rënda në botë. Kosova ditëve të fundit është bë me numrin më të ulët të infektuarve në rajon. Sot jemi ndër 5 shtetet me më së paku raste të reja në Evropë”.

Detyrën e ministrit të Shëndetësisë e quajti detyrë me privilegj dhe përgjegjësi, teksa shtoi se është “pasuria” më e madhe që ka përfituar nga besimi që iu dha si ministër.