Lista Serbe përmes një njoftimi në Facebook ka akuzuar edhe një herë Qeverinë e Kosovës, për siç ka thënë, "tentimin e saj për t’i futur ata në geto".
Kjo Listë ka treguar edhe për propozimin që ka marrë nga KFOR-i dje, e për të cilën ka shkruar KOHA. Qeveria Kurti ishte pajtuar në parim me propozimin.
Zyrtarët serbë thonë se propozimi ishte i papranueshëm.
Në njoftimin e bërë nga Lista Serbe, thuhet se ky është qëndrim i kryetarëve të katër komunave me shumicë serbë në veri të vendit.
“Pas konsultimit me kryetarët e komunave serbe në veri, refuzuam propozimin e KFOR-it që të ushtarët e kësaj force të zëvendësojnë policët e Kosovës të armatosur ‘deri në dhëmbë’, por që të mbetët në fuqi vendimi për targat. Ne dhe populli y në, nuk jemi të gatshëm të miratojmë qëllimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të na hequr të drejtën e lëvizjes së lirë, që është vlerë e Evropës moderne dhe e cila do të duhej të vlente edhe për serbët në këto hapësira”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Ajo ka akuzuar Qeverinë e Kosovës apo siç i referohet zakonisht, Prishtinën, duke thënë se “po i rrah serbët e paarmatosur” dhe e ka ftuar të kthejë gjendjen siç ishte para 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit për t argat e veturave të Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Policia e Kosovës ka mohuar se deri më tash ka rrahur ndonjë serb, por as mediat serbe nuk kanë nxjerr ndonjë video të rrahjes.
Serbët tash e nëntë ditë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masë reciprociteti.