Arbëri

Me masat e reja nis viti i ri shkollor

Pas dy shtyrjeve, këtë të hënë ka filluar viti i ri shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, ku nxënësit janë rikthyer me prani fizike në objektet shkollore.

Ministria e Arsimit, ka hartuar udhëzuesin për organizimin e procesit mësimor, i cili parasheh 4 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata me Covid-19.

Nxënësit kanë thënë se janë shumë të kënaqur që më në fund, janë kthyer në shkolla.

“Jam gëzuar që jemi kthyer përsëri në bankat shkollore, sepse klasën e pestë e kemi pas gati të gjithën online edhe klasën e katërt e kemi pasur gati online, tash që kemi nisur brenda shkollës unë jam i gëzuar. Më është dukur pushimi tepër i gjatë”, tha nxënësi Ylli Vokshi.

“Mendoj që unë dhe shokët e shoqet e mia ndjehemi shumë më lirshëm që jemi kthyer në klasa dhe i kemi mësimdhënësit tanë përpara. Besoj që edhe detyrat i kuptojmë më mirë dhe është më lehtë”, tha nxënësja Yllka Pushka.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se angazhimi për një vit të mbarë e të suksesshëm është i vazhdueshëm.

Ajo ka ftuar mësimdhënësit e nxënësit që të kenë kujdes të shtuar dhe të respektojnë të gjitha masat anti-COVID.

Jehona Uruqi, drejtoreshë në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë, ka thënë se procesi ka shkuar ashtu siç është planifikuar.

“Procesi mësimor ashtu siç është planifikuar në udhëzuesin e përgjithshëm për fillimin e vitit të ri shkollor 2021-2022, me masat e AntiCovid. Shkolla jonë ka skenarin A gjatë kësaj periudhe dhe gjatë javës do të përcillet i gjithë procesi në mënyrë që me pa se me cilin skenar do të vazhdojmë”, tha Uruqi.

Ka shtuar se do të jetë sfiduese puna me katër ndërrime në vend të dy ndërrimeve sa ishte më parë.

“Gjithashtu, më duhet ta potencoj që për skenarin e rikthimit shkolla jonë ka një numër shumë të madh të nxënësve dhe është e pamundur që ta realizojë rikthimin me 45 minuta me 1400 nxënës që i ka shkolla dhe hapësirat nuk e lejojnë këtë skenar që të realizohet procesi mësimor”, tha ajo.