Arbëri

Mustafa bën thirrje të mblidhet Këshilli i Sigurisë

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një postim në Facebook, ka thënë se për shkak të situatës në veri të vendit, duhet të thirret Këshilli i Sigurisë së vendit.

Në një postim të rrallë në Facebook, që nga largimi prej kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa e ka konsideruar tepër serioze dhe të rrezikshme situatën e fundit.

Sot në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan u sulmua. Incidentet ndodhën Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, me serbët që kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.

Mustafa ka thënë se të tre liderët e shtetit duhet të jenë në Kosovë në situatë të tillë e të mos dërgojnë mesazhe nga vende tjera.

“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë , Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojnë mesazhe, njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë. Kjo sjellje është joserioze dhe e pafalshme. Në momente të tilla do duhej të thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët tanë, SHBA, BE, KFOR-in dhe institucionet relevante në Kosovë”, ka shkruar ai.