Procedura të komplikuara për lëshim të vizave për familjarët që i vizitojnë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e të paraburgosurve në Gjykatën Speciale në Hagë, sipas Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo ministri ka thënë se të mërkurën dhe të enjten delegacioni i MD-së, në krye me zëvendësministrin Blerim Sallahu, shefin e kabinetit, Genc Nimoni, dhe udhëheqësen e Divizionit për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare, Pranvera Ejupi-Hajzeraj kanë zhvilluar takime me të paraburgosurit në Hagë.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për funksionimin e gjithmbarshëm të rendit shtëpiak e për kushtet e trajtimit të të paraburgosurve.
Për shqetësimet e tyre për viza, delegacioni i MD-së ka folur edhe me kryetaren e Dhomave të Specializuara dhe zyrtarë të tjerë të Speciales në Hagë. Sipas njoftimit, ata janë zotuar për lehtësim procedurash dhe trajtim të dinjitetshëm të të paraburgosurve.
Në fund, MD-ja ka thënë se do t’i kryejë obligimet e saj në raport me shtetasit që mbahen në Hagë.
Krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po mbahen në Hagë që nga viti i shkuar. Gjykimi ka nisur vetëm ndaj Salih Mustafës. Në paraburgim janë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Pjetër Shala, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.
-
Gjykata Speciale ndan pamje nga burgu ku mbahen ish-drejtuesit e UÇK-së
-
Kurti i kërkon Speciales lirimin me kusht të ish-udhëheqësve të UÇK-së, ofron garanci shtetërore
-
Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Avokatët: Thaçi e të tjerët duhet të mbrohen në liri
-
Qelaj për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Po u shkelen të drejtat me mbajtje në paraburgim