Arbëri

Vitia: Të enjten rekomandimi i IKSHPK-së, me gjasë procesi arsimor do të fillojë nga 27 shtatori

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka sqaruar për KOHËN deklaratën e sotme të tij lidhur me fillimin e procesit arsimor, për të cilin u raportua se rekomandimi është që shkollat të mbesin të mbyllura edhe pas 26 shtatorit.

Vitia ka thënë se IKSHPK-ja më 10 shtator, kur diskutuan për masat anti-COVID, u vendos që mësimi të pezullohej deri më 26 shtator dhe se aty u tha që mësimi mund të shtyhej edhe pas kësaj date. Ai ka deklaruar se e ka pasur fjalën për rekomandimet e kaluara të IKSHPK-së që këshillonin MSH-në për të mbyllur shkollat dhe se ky institucion ende nuk ka bërë rekomandimet për pas datës 26, ani pse Vitia ka thënë se pret që shkollat do të hapen nga java e ardhshme.

“Unë sot në komisionin parlamentar për shëndetësi, shpalosa rekomandimet paraprake te IKSHPK-së në raport me hapjen e çerdheve dhe shkollave. Nesër presim rekomandimin përfundimtar të kësaj jave që si zakonisht vjen të enjteve. Gjatë gjithë kësaj kohe në bashkëpunim të ngushtë me MASHT-in janë përgatitur të gjitha skenarët në mënyrë që të mos ketë më shtyrje të procesit arsimor. Me situatën epidemiologjike në teren dhe gjendjen aktuale në spitalet tona në një anë dhe duke marrë parasysh rëndësinë e fillimit të procesit arsimor, me gjasë procesi arsimor do të fillojë nga data 27 shtator, natyrisht në përputhje me masat parandaluese të shpërndarjes së infeksionit”, ka thënë ai për KOHËN.