Arbëri

Vitia: Kosova i ka edhe 400 mijë doza në stok, do të vijnë edhe 500 mijë deri në fund të vitit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19 ka thënë se nga prilli i këtij viti ka propozuar masa për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Sipas tij, deri më tani janë miratuar 10 vendime për masa.

“Kemi bërë fushata vetëdijesuese, natyrisht me domosdoshmërinë e vaksinimit. Janë rekrutuar 1450 profesionistë shëndetësorë dhe janë në proces të rekrutimit edhe të tjerë”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se për herë të parë janë ofruar barna pa pagesë që ndihmojnë në trajtimin e pacientëve me COVID.

Ka thënë se janë në dispozicion 1 mijë e 200 shtretër për pacientë me COVID.

Ka thënë se pas sigurimit të vaksinave ka miratuar planin dhe deri më tani janë administruar 1 milionë e 200 mijë doza të vaksinës. Sipas tij, në stok janë edhe 400 mijë doza. Ka thënë se deri në fund të vitit do të arrijnë edhe 500 mijë doza dhe se deri në fund të vitit pritet që të vaksinohen 70 për qind e popullatës.

Vitia ka thënë se situata me furnizim me barna ka qenë në nivel të ulët dhe numri i kontratave të nënshkruara për barna ka qenë 24 apo në përqindje 11.65 për qind. Në të njëjtën situatë sipas tij ka qenë edhe furnizimi me material shpenzues dhe se numri i kontratave ishte 12 apo 15.79 për qind.

Ka thënë se për të adresuar këtë çështje është kërkuar mjete shtesë, pasi nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm.

“Kemi hasur shumë probleme që është dashur që të merremi qysh në fillim”, ka thënë ai, duke përmendur mungesën e barnave, materialeve shpenzuese dhe mjeteve për mbulimin e pagave për specializantë.

Ministri Vitia ka folur edhe për telashet që sipas tij, ishin në këtë sektor kur e mori ai drejtimin.

“Kemi hasur teste të prokuruara me çmime të ndryshme nga UNOPS-i dhe MSH-ja dhe për këtë lënda është tek organet e drejtësisë. Tenderi për insulina është i bllokuar nga OSHP-ja dhe për këtë lënda është tek organet e hetuesisë. Projekti kapital për Spitalin e Ferizajt përkundër hapave që kemi marrë nuk kemi arritur që të vazhdohet. Ky projekt dhe kjo lëndë është dërguar tek organet e drejtësisë”, ka thënë ai.