Arbëri

Shtesat për fëmijët mbi 2 vjeç ndahen nga 2022-a, prindërit ankohen për mosinformim

Descriptive Text

Nga 10 shtatori me vendim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës ka nisur mbështetjen financiare për fëmijët. Me masën 3.5 nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Qeveria synon t’i ndihmojë me shtesa prej 20 eurosh fëmijët nga 0 deri në 2 vjeç, dhe me nga 10 euro fëmijët prej 2 deri në 16 vjeç

Faton Hashani, prind i dy fëmijëve më të mëdhenj se 2 vjeç, thotë se e ka bërë plan të aplikojë në platformën e-Kosova, për t’i marrë shtesat prej 10 eurosh për fëmijët e tij.

“Ende nuk kemi aplikuar, e kemi parë nëpërmjet mediave të shkruara dhe elektronike se tanimë mund të aplikojmë, dhe është aprovuar shtesa për fëmijë, mirëpo detajet nuk i dimë”, ka thënë Hashani, që nuk ishte i informuar se aplikimi për fëmijët mbi 2 vjeç nuk mund të bëhet brenda këtij viti.

Probleme të tilla kanë edhe prindër të tjerë, të cilët ankohen për mangësi në mënyrën e komunikimit të Qeverisë me qytetarët.

Nga 10 shtatori me vendim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës ka nisur mbështetjen financiare për fëmijët. Me masën 3.5 nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Qeveria synon t’i ndihmojë me shtesa prej 20 eurosh fëmijët nga 0 deri në 2 vjeç, dhe me nga 10 euro fëmijët prej 2 deri në 16 vjeç.

Aktualisht aplikimi në sistemin e-Kosova lejohet vetëm për fëmijët që kanë lindur në vitet 2020 dhe 2021, e për moshat e tjera zbatimi nis prej vitit të ardhshëm.

Nga janari i vitit 2022, aplikimi do të hapet për fëmijët që kanë lindur në vitin 2018, e kësisoj gradualisht çdo 6 muaj do të zgjerohen grupmoshat dhe tërësisht implementimi i kësaj mase do të bëhet tek në vitin 2023.

Por, kjo sipas qytetarëve është çështje për poenë politikë, që fillimisht të proklamohen shtesa e të njëjtat të mos ndahen plotësisht edhe dy vjet të tjerë.

“Pse më 2023, çka me bo deri më 2023 nënat e prindërit që duhet të rrisin fëmijë, e duhet të investojnë deri më 2023, pse me pritë, pse ajo pritje, ajo pritje është e pavend”, thotë qytetari Isuf Musliu.

KOHA ka pyetur Qeverinë dhe Ministrinë e Financave se pse implementimi i tërësishëm i kësaj mase është shtyrë deri më 2023, por ata nuk janë përgjigjur.

Përveç fëmijëve, Qeveria ka vendosur që t’u ofrojë mbështetje financiare edhe lehonave që e kanë sjellë në jetë fëmijën pas datës 1 gusht 2021 e që janë të moshës mbi 18 vjeçe. Lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit do të mbështeten me 170 euro në muaj, për 6 muaj radhazi, ndërsa ato që janë të punësuara në ndonjërin prej muajve në 12 muajt e fundit, do të mbështeten me 170 euro në muaj për 3 muaj radhazi.