Arbëri

Konkurs për 17 pozita, pak interesim për vendet e largëta

Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur thirrje të brendshme për 17 pozita në vendet ku ka misione diplomatike e konsullore. Por në vendet e largëta si Australi, Japoni, Panama, Senegal, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ka mungesë interesimi. Kjo, për shkak të mënyrës si funksionon aktualisht Shërbimi, e ku të gjithë shërbyesit në misione të cilët kanë grada diplomatike dhe konsullore janë subjekt i trajtimit të barabartë financiar

Prishtinë, 12 shtator - Krahas emërimit të ambasadorëve të rinj, Ministria e Punëve të Jashtme është në proces rekrutimi të diplomatëve të rangut më të ulët. Ambasadat synohet të mbushen nëpërmjet një thirrjeje të brendshme në këtë institucion.

Në total janë shpallur 17 pozita ku të drejtën e shprehjes së interesit e kanë të gjithë nëpunësit e Ministrisë me grada diplomatike/konsullore. Pozitat janë sekretar i parë, sekretar i dytë, atashe, këshilltar dhe ministër këshilltar.

Por mbështetur në informatat e siguruara nga KOHA, ka mungesë interesimi për vendet e largëta si Australia, Japonia, Panamaja, Senegali, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo, për shkak të pagesës, ku një diplomat në vendet e largëta paguhet pothuajse njësoj sikurse ata në rajon.

Në mënyrën si funksionon aktualisht Shërbimi, të gjithë shërbyesit në misione të cilët kanë grada diplomatike dhe konsullore janë subjekt i trajtimit të barabartë financiar.

Ministria nuk ka ofruar sqarime në lidhje me konkursin e as pagesat e diplomatëve.

Burime brenda MPJ-së kanë thënë se klasa e diplomatëve të ulët sikurse sekretari i dytë merr pagë rreth 2 mijë euro. Ata me gradën këshilltar rreth 2600 euro, ndërsa ministri këshilltar që shërben si zëvendësambasador paguhet rreth 3 mijë euro. Përvoja e punës dhe gradimi mund të ndikojnë deri 100 euro dallim.

Çështjen e pagesave të diplomatëve e ka trajtuar instituti “Demokraci Plus” në monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për shërbimin e jashtëm. Emir Abrashi nga ky institut thotë se harmonizimi i pagave është një pengesë që pamundëson jetesë të dinjitetshme për diplomatët në zona të largëta.

“Do të thotë një diplomat i cili shërben në Tiranë ka pagesë të njëjtë sikurse ai që shërben në Tokio. E në anën tjetër, kostoja e jetesës në Tiranë dhe kostoja e jetesës në Tokio dallojnë jashtëzakonisht shumë njëra me tjetrën. Duhet të kemi parasysh që diplomatët të cilët shërbejnë jashtë vendit zakonisht nuk shkojnë vetëm, por shkojnë me familjet e tyre dhe me një rrogë të tillë të ulët ata e kanë të pamundur që ta mbajnë gjithë familjen. Prandaj rrjedhimisht kemi hezitim të diplomatëve për të shërbyer në zona të largëta e sidomos në ato vende ku është shumë më e lartë kostoja e jetesës”, ka thënë Abrashi.

D+ ka rekomanduar të ketë një pagë bazë që do të ishte e njëjtë për të gjithë diplomatët dhe më pas të dallojnë shtesat të cilat u jepen diplomatëve, varësisht prej vendit ku shkojnë.

“Me mënyrën si janë të ndara pagat aktualisht ne kemi një interesim jashtëzakonisht të madh të diplomatëve për të shërbyer në rajon, qoftë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e Kroaci. Megjithatë, kemi një hezitim të diplomatëve që të shërbejnë jashtë kontinentit evropian. Kjo, për faktin se diplomatëve nuk iu paguhen as udhëtimet për në Kosovë një herë në vit, siç do të duhej të paguheshin, mirëpo i paguhet vetëm bileta gjatë momentit të marrjes së mandatit dhe bileta në përfundim të mandatit”, ka thënë Abrashi. “Kjo bëhet më e papërballueshme kur kemi parasysh se shumica e diplomatëve kanë edhe familje. Në anën tjetër, në disa shtete është e pamundur që diplomatët t’i shkollojnë fëmijët në shkolla publike, rrjedhimisht duhet që t’i dërgojnë ata në shkolla private. Shkollat private janë të kushtueshme duke e bërë kështu të pamundur jetesën në ato vende”.

Sa i përket shkollimit të fëmijëve të diplomatëve kosovarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës aktualisht mbulon kosto deri në 250 euro në muaj për shkollimin fillor dhe të mesëm të fëmijëve të diplomatëve kosovarë. Kjo është e përcaktuar në nenin 20, pika 4 e Rregullores për Shërbimin e Jashtëm.

“Për ato vende ku diplomatët mund t’i shkollojnë fëmijët në shkolla publike, një shumë e tillë mund të jetë e mjaftueshme për t’i mbuluar këto shpenzime. Ndërsa për ato vende ku është e pamundur që fëmijët të shkollohen në shkolla publike, si në rastin e Bangladeshit, Senegalit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Arabisë Saudite, Tajlandës etj., atëherë një shumë e tillë është shumë e vogël, dhe i detyron diplomatët që të bëjnë zgjedhje mes marrjes së familjeve në mision, apo shkuarjes në mision vetëm. Në rastin e dytë, duhet pasur parasysh që të njëjtët nuk do të mund t’i performojnë plotësisht detyrat e tyre të parashikuara, pasi që do të duhet të marrin pushim më shpesh për të kaluar kohë me familjet e tyre”, thuhet në raportin e D+.

Përveç çështjes së pagesave për diplomatët, në vazhdimësi janë konstatuar mangësi edhe sa i përket rotacionit e gradimit që aktualisht mbulohen me akte nënligjore.


Pozitat e lira

Australi/Kambera: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Japoni/Tokio: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Danimarkë/Kopenhagë: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Panama/Panama: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Kanada/Otava: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Senegal/Dakar: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Bangladesh/Dhaka: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Tajlandë/Bangkok: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Izrael/Jerusalem: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Arabi Saudite/Riad: një pozitë e lirë – nga atashe deri në ministër këshilltar

Itali/Milano: një pozitë e lirë – sekretar i dytë

Zvicër/Gjenevë: një pozitë e lirë – sekretar i parë

Turqi/Stamboll: një pozitë e lirë – sekretar i parë

SHBA/Iowa: një pozitë e lirë – sekretar i parë

SHBA/Uashington: një pozitë e lirë – këshilltar

Mbretëria e Bashkuar/Londër: një pozitë - sekretar i parë – shërbime konsullore

Holanda/Hagë: një pozitë e lirë – sekretar i parë (prioritet shërbimet konsullore)


 Pagesat

Sekretari i dytë – rreth 2000 euro

Këshilltar – rreth 2600 euro

Ministër këshilltar – rreth 3000 euro