Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asnjëra shtatzënë në Gjinekologji s’është e vaksinuar, Syla bën thirrje për imunizim

Mjeku specialist në Klinikën e Gjikenologjisë, Blerim Syla, ka bërë të ditur se asnjë nga shtatzënat që po trajtohen në këtë klinikë pas infektimit me COVID-19 s’është e vaksinuar. Duke bërë thirrje për imunizim, Syla ka folur në emisionin SOT në KTV për përballjen emocionale të stafit shëndetësor me rastet që po rriten vazhdimisht në këtë klinikë.

Sipas raportit të së martës të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, në Gjinekologji janë 11 paciente që po trajtohen ndaj COVID-19. Ka prej tyre që janë edhe në Mjekimin Intensiv. Vetëm për një javë në QKUK kanë vdekur 6 lehona dhe shtatzëna.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Vala e parë ka qenë më lehtë e menaxhueshme. Kjo tash është shumë e vështirë sepse po i atakon shumë shtatzënat, e s’janë pothuajse asnjëra të vaksinuara. Kemi raste të vdekjeve e është jashtëzakonisht e rëndë për ne. Është punë drakonike e bërë. Duhet të mendojmë për nënën dhe beben. Vështirë kur pyet nëna a do të shpëtojë fëmija dhe ti si profesionist i ke dy jetë në duar. Po ndodh të na humbin të dyja e është tejet e vështirë. Kam apeluar që shtatzënat të vaksinohen. Situata është e menaxhueshme, por përditë po rritet numri. Asnjëra paciente s’është e vaksinuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, faj për mosvaksinim të shtatzënave kanë menaxhimi i dobët i vaksinimit në fillim dhe qëndrimi i vonuar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë se shtatzënat mund të vaksinohen.

Shumica dërrmuese e pacientëve që janë të shtrirë në spitalet dhe klinikat e Kosovës janë të pavaksinuar. Javën e shkuar, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh se 93 për qind e pacientëve janë të pavaksinuar fare, ndërsa pjesa tjetër nuk dihet se a i kanë marrë të dyja dozat apo kanë marrë vetëm nga një.

Që nga mesi i muajit gusht situata me COVID-19 në Kosovë është përkeqësuar. Vetëm në shtatë ditët e para të shtatorit humbën jetën 181 persona.