3 perditesime
10:28

Arrestohen aktivistët e PSD-së që protestuan ndaj Trendafilovas

Janë arrestuar disa aktivistë të Partisë Socialdemokrate që penguan konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trandafilova.

Ata janë arrestuar jashtë objektit ku po mbahet konferenca.

Po ashtu kanë vënë edhe mbishkrimi në veturën e EULEX-it, “Non Grata”.

10:09

Protestuesit ndërprenë përkohësisht konferencën e Trendafilovas

Është ndërprerë përkohësisht konferenca për media të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova. Teksa ajo nisi të fliste në konferencë, dy persona kanë dalë para saj duke bërë zhurmë për t’ia ndërprerë fjalën.

Pas pak minutash ata janë larguar nga salla.

Një nga protestuesit e ka quajtur Trendafilovan përfaqësuese të një gjykate të padrejtë që po përpiqet “ta ndryshojë historinë e Kosovës”.

Në anën tjetër, Trendafilova ka thënë se i vjen keq që s’flet shqip për ta kuptuar protestuesin duke shtuar se e fton që të vijë në konferencë.

09:45

Protestë para konferencës së Trendafilovas: Mos i mbroni krimet e kryera nga Serbia

Disa qytetarë kanë dalë në protestë para konferencës për media të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova. Para vendit ku do të mbahet konferenca, ata kanë dalë me parulla kundër Gjykatës Speciale.

Letrat që ata mbanin kishin pesë pika. E para theksonte se s’ka krime njëetnike dhe s’mund të ketë gjykatë për gjykimin e vetëm një etnie.

Në pikën e dytë është kërkuar të zbulohen të gjitha krimet dhe të mos mbrohen krimet e kryera nga Serbia.

Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës dhe jo vetëm të Serbisë, është pika e tretë, ndërsa në të katërtën ata kanë thënë se ndjekja selektive e krimeve s’është drejtësi për viktimat.

“Turp, turp, turp të mbrohet gjenocidi i kryer nga Serbia”, thuhet në pikën e pestë.

08:18

Kryetarja e Speciales viziton Kosovën

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova dhe administratorja Fidelma Donlon sot do të qëndrojnë për vizitë në Prishtinë, ku do të flasin për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).

“Takimi ndërveprues shënon fillimin e një angazhimi të shtuar të kryetares dhe të administratores në veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit të DHSK-së. Duke pasur parasysh rregulloret e shëndetit dhe të sigurisë si rezultat i pandemisë globale Covid-19, kryetarja dhe administratorja po shfrytëzojnë mundësinë e parë për të udhëtuar në Kosovë për t'u takuar me shoqërinë civile dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova pritet ta vizitojë edhe Mitrovicën e Veriut.

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000.

BE-ja në vit ndan rreth 40 milionë euro për punën e Gjykatës Speciale./KSP