Arbëri

Moratoriumit i vjen fundi: Kosova kërkon anëtarësime, Serbia çnjohje

Foto: Reuters / Arkiv

Dy ditë para skadimit të moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare, në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se janë duke ndjekur zhvillimet rreth organizatave në funksion të parapërgatitjes së procesit për anëtarësim në disa prej tyre. Për moratoriumin ka folur edhe presidenti serb, i cili ka thënë se Prishtina planifikon të aplikojë në UNESCO, INTERPOL dhe në Këshill të Evropës.

Shterpësisë njëvjeçare në procesin e aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtarë synohet t’i jepet fund të shtunën kur skadon moratoriumi i vendosur vitin e kaluar në Washington.

Megjithëse nuk kanë treguar caqet ky synohet aplikimi, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë se për rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar në vazhdimësi ndjekin zhvillimet rreth organizatave ndërkombëtare dhe parapërgatitin proceset për anëtarësim në disa prej tyre.

“Ky është një proces i pandërprerë, i cili fillimisht i nënshtrohet një analize të thellë të kushteve dhe rrethanave dhe bazohet në prioritetet e politikës së jashtme dhe interesat strategjike të vendit. Procesi i anëtarësimit varet natyrisht edhe nga afatet e aplikimit në organizatat ku synohet anëtarësimi. Natyra e ndjeshme e kësaj teme e bën të pamundur publikimin e rrethanave konkrete pa rrezikuar dëmtimin e interesave strategjike të vendit”, ka thënë MPJD-ja.

Njohës të politikës së jashtme thonë se qeveria është dashur ta shfrytëzojë pauzën njëvjeçare për t’i bërë gati aplikimet.

“Duke marrë parasysh edhe caktimin e afateve besoj se ka qenë e udhës që Qeveria e Kosovës t’i listojë këto organizata ndërkombëtare, t’i shohë, ta bëjë një plan veprimi, ndoshta të fillojë kontaktet me vendet që janë njohës të Kosovës, si SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca - pra ato vende që janë mbështetëse të Kosovës se si mund ta ndihmojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të caktuara, ku edhe pesha e votës për anëtarësim dallon nga organizata në organizatë”, ka deklaruar Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Kosova kishte dështuar të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Nuk kishte arritur t’i sigurojë as votat e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sesioni i 23-të i Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s planifikohet të mbahet këtë vit, por që data nuk është konfirmuar ende.

Sipas Fetahut, Qeveria duhet të punojë më tepër me vendet njohëse për t’u siguruar se mbështesin aplikimin e Kosovës në organizata të caktuara.

“Nëse ka potencial për anëtarësim dhe nuk është bërë ndonjë përgatitje, një plan veprimi, strategji, hulumtim pse jo edhe kontakte me shtete, ndoshta edhe lobim indirekt jo gjithmonë publik, atëherë mendoj se është një deficit i madh për Kosovën pasi që anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, organizata të specializuara dhe agjenci të tjera e afirmojnë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kësisoj edhe e fuqizojnë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar Fetahu.

Në anën tjetër, zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar t’i rikthehen fushatës për anulimin e njohjeve të Kosovës dhe pengesave në mësymjet për anëtarësime.