Arbëri

Aliu: Ky është veç fillimi i denoncimeve të keqpërdorimeve në shpronësime

Vetëm fillim të denoncimeve për keqpërdorime, e ka quajtur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, publikimin e raportit të Auditorit të Ministrisë së Financave për procesin e shpronësimeve në rrugën Kijevë-Zahaq, në kohën e Qeverisë Haradinaj. Teksa Murati akuzoi se në atë proces ka pasur “dallavere të mëdha” në rritje prej 12 milionë eurosh të vlerës së tokave që ishin shpronësuar, ministri Aliu ka thënë se “ky është vetëm fillimi, duke pasur parasysh që projekte të tilla kemi pasur shumë”.

Murati ka thënë të martën se fillimisht ishte vlerësuar se shpronësimet në ato zona do të merrnin diku mbi 31 milionë euro, por më vonë kjo shifër është ngritur në 42 milionë euro. E të mërkurën, Aliu ka folur përgjithësisht duke thënë se buxheti i shtetit po vazhdon të dëmtohet për shkak të këtyre proceseve.

Sipas tij, borxhi i shtetit për shpronësime, në fillim të vitit ka qenë 182 milionë euro, ndërsa kanë vazhduar të trajtohen lëndët në Gjykata ku shteti është paditur.

Aliu ka thënë se ka raste të shumta të shpronësimit përtej nevojave të projekteve të ndryshme, duke specifikuar “autostradat”. Sipas tij, për 6 muaj është rritur për 7 milionë euro shifra e borxhit të shtetit për shpronësime.

Dukuri tjetër që ai ka denoncuar në një konferencë për media të mërkurën ka qenë edhe “shpronësimi i disahershëm i një prone”.