Arbëri

Murati: Qeveria Haradinaj rriti për 12 milionë euro vlerën për rrugën Prishtinë-Pejë

Descriptive Text

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka mbajtur konferencë për media lidhur me gjetjet mbi shpronësimet për rrugën Kijevë-Zahaq. Sipas tij, në projekte të mëdha gjatë qeverisë Haradinaj ka pasur “dallavere të mëdha”.

Murati ka thënë se fillimisht ishte vlerësuar se shpronësimet në ato zona do të merrnin diku mbi 31 milionë euro, por më vonë kjo shifër është ngritur në 42 milionë euro.

“Me shpronësimet dhe projektet e mëdha në vazhdimësi ka pasur dallavere, keqpërdorime dhe tani i kemi edhe shifrat e dokumentin që e dokumenton këtë. Kemi një keqpërdorim 43 milionë euro që brenda atij 43 milionë euro ka dyshime për të konstatuar se bëhet fjalë për falsifikim të 12 milionë euro”, ka thënë ai.

Më tej ka sqaruar se më 24 gusht Ministria e Infrastrukturës e asaj kohe pati kërkuar nga Ministria e Ambientit për shpronësimin e pronave në segmentin Kijevë-Zahaq, 1050 prona gjithsej. Më 19 shkurt 2019, Qeveria Haradinaj kishte dhënë vendimin preliminar për shpronësim, kurse më 17 maj 2019 ka dalë tabela e vlerësimit që nga Departamenti i Tatimit në Pronë i dorëzohet MMPH-së, ka thënë ai.

“Në tabelë, vlerësimi i Departamentit të Tatimit në Pronë është se vlera e tërësishme e shpronësimit është mbi 31 milionë euro. Kurse më tutje vendimi procedohet si pikë në Qeverinë Haradinaj më 17 dhjetor 2019 atëherë kur qeveria ishte në dorëheqje, pra qeveria në detyrë merr vendim për të miratuar shpronësimin e pronave të këtij segmenti. Por çka del është tek vlera e përgjithshme e pronave që miratohet me këtë vendim të qeverisë, vlera që janë dorëzuar nga zyra e kryeministrit njësisë së auditimit kap shifrën 43 milionë, kurse vlera e vlerësimit e departamentit kishte 31 milionë. Gjatë rrugës, deri është marrë vendimi në qeverinë Haradinaj vlerat janë shtuar për 12 milionë euro. Janë prona të veçanta që në fillim ishin të vlerësuara lartë dhe janë dyfishuar. Pronave specifike i është dyfishuar vlera dhe kemi përfunduar me falsifikim prej 12 milionë euro”, ka thënë Murati.

Kreu i dikasterit të Financave ka thënë se e çuditshme këtu është edhe fakti se ndër emrat e pronarëve të pronave aty, ka edhe të komunitetit serb. Tjetër gjë që është vërejtur, ka shtuar Murati, është ndryshimi i vlerave ndër prona.

Murati ka paralajmëruar se këtë vlerësim do ta ndalin dhe do ta dorëzojnë në prokurori raportin e auditimit si dhe marrjen e hapave për ta shpëtuar buxhetin.

“Do kërkojmë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe të shikojmë mundësitë që vendimi për projektin të vihet në rishqyrtim. Projekti Prishtinë-Pejë mund të vonohet, eventualisht do të vazhdohet por si pasojë e këtyre falsifikimeve do të vonohet”, ka përfunduar Murati.

Image