Arbëri

20 të vdekur nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë shënuar 20 raste të vdekjes nga COVID-19, ndërsa janë regjistruar 932 raste pozitive me koronavirus nga testimi i 7.384 mostrave, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Shifrat janë më të ulëta se të dielën, ku u raportua për 36 të vdekur.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe janë shëruar 962 qytetarë, ndërsa numri i rasteve aktive është 26.525.

Shtatë të vdekur gjatë 24 orëve të fundit janë të moshës mbi 80 vjet, 5 të moshës 70-79 vjet, pesë të moshës 60-69 vjet, një i moshës 50-59 vjet dhe dy të moshës 40-49 vjet.

Ndërkohë gjashtë të vdekur janë nga Prishtina.

Në rastet e reja prin Prishtina me 238 raste të reja nga Podujeva me 102 raste. Nga rastet e reja grupmosha 30-39 prin me 191 raste, pasuar nga ajo 20-29 vjet me 174 raste.

Në grupmoshën 0 deri 9 vjet janë shënuar 29 raste, ndërsa 10 deri 19 vjet, 89 raste.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar 143.603 raste pozitive me koronavirus, prej tyre 2477 kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa janë shëruar 114.601. Janë 26.525 raste aktive.