Ballina e gazetës së madhe zvicerane “Blick” të shtunën ka bërë thirrje urgjente për shqiptarët në këtë shtet, që të vaksinohen kundër COVID-19.
Pak ditë pasi në mediat zvicerane u raportua se një pjesë e madhe e të shtrirëve në spitalet e këtij shteti janë persona me prejardhje të huaj që nuk janë vaksinuar kundër virusit dhe në të shumtën e rasteve nga pushimet janë kthyer të infektuar, një thirrje për vaksinim urgjent po u bëhet edhe diasporës shqiptare në Zvicër.
Vetëm një ditë më pas thirrja: “Ju lutem vaksinohuni!” ka mbuluar ballinën e “Blickut”.
Bashkëshefi i repartit të Kardiologjisë në Spitalin Kantonal të Lucernit, Florim Cuculi, në thirrjen e tij përmes këtij mediumi ka thënë se virusi mund të parandalohet vetëm me vaksinim masiv.
“Më prek që shumë pacientë nga Kosova dhe Maqedonia janë shtruar në departamentet COVID të spitaleve zvicerane. Ne mund ta parandalojmë këtë me vaksinim masiv. Të mundohemi të gjithë ta tejkalojmë këtë sfidë së bashku. Ju lutem vaksinohuni”, ka thënë ai në thirrjen e tij.
Pos shqiptarëve, lutje u është bërë edhe qytetarëve të tjerë të huaj në Zvicër.