Arbëri

Refuzuan të vaksinohen, erdhën për pushime në atdhe, tani janë shtrirë në spitalet e Zvicrës – të infektuar me COVID-19

Sipas mediave zvicerane një pjesë e madhe e të shtrirëve në spitalet e Zvicrës janë persona me prejardhje të huaj që nuk janë vaksinuar kundër virusit dhe në të shumtën e rasteve nga pushimet janë kthyer të infektuar. Diplomatët kosovarë kanë konfirmuar për “Kohën Ditore” se janë kontaktuar nga autoritetet zvicerane për të ndihmuar në bindjen e njerëzve për t’u vaksinuar

Më 1 gusht në repartet e trajtimit intensiv në spitalet e Zvicrës ndodheshin 23 persona me COVID-19. Tani sipas të dhënave të Entit Federal për Shëndetësi të Zvicrës në trajtim intensiv janë 160 persona. Situata nuk është dramatike, por rritja e numrit të pacientëve në gjendje të rëndë është e jashtëzakonshme. “Nëse rriten shifrat edhe më tutje, ne në ditët dhe javët e ardhshme, ashtu si gjatë tri valëve të para (të pandemisë), do të jemi të detyruar të shtyjmë operacionet”, i tha gazetës “NZZ am Sonntag”, Jürg Hodler, drejtor për çështje mjekësore në Spitalin Universitar të Zürichut. “Në disa spitale që tani mungojnë shtretër për trajtim intensiv”, tha Hodler. Nga mesi i shtatorit ngarkesa e spitaleve do të jetë intensive, parashikon Hodler.

Në spitalet zvicerane, sipas “NZZ am Sonntag”, një pjesë e madhe e pacientëve të infektuar kanë prejardhje të huaj. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë kthyer nga pushimet në vendet prejardhëse, për shembull nga Ballkani. Shumica janë me kualifikim të ulët dhe janë të painformuar. Këtë e konfirmojnë mjekët dhe politikanët zviceranë. Me sa duket fushata për vaksinim nuk ka pasur shumë efekt te personat me origjinë të huaj. Tani kantonet zvicerane po intensifikojnë përpjekjet për të nxitur migrantët për t’u vaksinuar – këtë po e bëjnë përmes WhatsApp-it, afisheve, shoqatave, zyrave për integrim dhe ambasadave të vendeve përkatëse. Diplomatët kosovarë kanë konfirmuar për “Kohën Ditore” se janë kontaktuar nga autoritetet zvicerane për të ndihmuar në bindjen e njerëzve për t’u vaksinuar. Lukas Engelberger, shef i konferencës së drejtorëve kantonalë për shëndetësi, deklaroi se nëse gjendja vazhdon kështu, “duhet të mendojmë seriozisht për të aplikuar karantinën për të kthyerit në Zvicër”. Ndërkohë po u bëhet apel edhe ndërmarrjeve zvicerane që t’i shtyjnë punëtorët të vaksinohen.

Refuzimi i migrantëve për t’u vaksinuar është temë delikate. Shumë politikanë frikësohen ta tematizojnë këtë çështje nga frika se qëndrimet e tyre mund të keqpërdoren nga qarqet raciste. Hans Pargger, drejtues i stacionit intensiv në spitalin e Baselit, së fundi deklaroi për gazetën “Tages Anzeiger”: “Kemi një numër të madh të pacientëve me prejardhje të huaj. Disa nuk duan të vaksinohen. Të tjerët kanë vërejtur tek tani se është dashur të vaksinohen”. Drejtori për shëndetësi i kantonit Thurgau Urs Martin tha se shumica e të sëmurëve nga Covidi kanë lidhje me vendet e Ballkanit. Ai nënvizoi se autoritetet zvicerane me gjasë nuk kanë arritur të komunikojnë qartë me këto grupe migrantësh që jetojnë në Zvicër. Lukas Engelberger tha se shumica kthehen nga vendet me kontrolle aspak të rrepta dhe me teste të falsifikuara. Ai frikësohet se situata mund të përkeqësohet në vjeshtë, me valën e re të pushimeve shkollore. Dhjetë komuna të kantonit të Solothurnit i kanë dërguar letër të gjithë banorëve, ku u bëhet thirrje për vaksinim.