Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se vetëm duke marrë vendime të njëjta për raste të njëjta garantohen të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. Në opinionin drejtuar Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Partisë Liberale Egjiptiane dhe asaj Rome e Bashkuar e Kosovës që votat e partisë Romani Iniciativa të zgjedhjeve të përgjithshme të shpallen të pavlefshme në komunat ku ka disproporcion të votave me numrin e banorëve, Avokati i Popullit ka thënë se e sheh të rëndësishme dhe të nevojshme vlerësimin e kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese.
Më 14 shkurt, Romani Iniciativa arriti të marrë një ulëse në Kuvend nga komuniteti egjiptian. Ajo u raportua se është e afërt me Listën Serbe dhe se shumë prej votave i ka marrë në vendbanimet me shumicë serbe. Në rezultatet preliminare ishin ankuar disa parti të komuniteteve, ndërsa vendimi i PZAP-së dhe Supremes nuk ishte në favor të të gjithave. Ajo ua miratoi ankesat disa partive, por jo PLE-së e PRBK-së.
Duke thënë se në Mitrovicë, Graçanicë e Kamenicë kjo parti ka marrë më shumë vota se që ka banorë romë, PLE-ja dhe PRBK-ja janë ankuar në Gjykatën Kushtetuese.
E në opinionin e tij, Avokati i Popullit ka thënë se nuk i vlerëson dhe komenton vendimet e PZAP-së e GJS-së, por ka shtuar se për “raste të njëjta organet vendimmarrëse duhet të nxjerrin vendime të njëjta”.
“Në këtë mënyrë garantohet realizimi pa dallim i të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare, në të kundërtën, nëse për raste të njëjta nxjerrën vendime të ndryshme, atëherë krijohet situatë e pabarazisë dhe standardeve të dyfishta të vendosura nga organet vendimmarrëse”, thuhet ndër tjerash në opinionin e fillimit të gushtit.