Që nga 12 korriku i vitit 2013, A.S. është i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të rëndë në tentativë. Tetë vjet lënda e tij ka qarkulluar në gjykata. Tash, është arrestuar sërish nën dyshimet për vrasjen e një 18-vjeçareje në Ferizaj.
Në një komunikatë për media, Gjykata Themelore në Ferizaj ka publikuar kronologjinë e ndjekjes së A.S.. Aty vërehet se lënda e tij është bartur nga një gjykatës tek tjetri, por që epilog s’ka marrë kurrë. Plot pesë gjyqtarë janë përballë me këtë lëndë.
Fillimisht më 12 korrik 2013, ndaj tij dhe dy personave të tjerë ishte parashtruar kërkesa për masën e paraburgimit. Gjyqtari i Procedurës Paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi e kishte miratuar kërkesën dhe u kishte caktuar paraburgim prej një muaji. Mbrojtja ishte ankuar në Apel për këtë vendim, por Apeli i kishte refuzuar si të pabaza ankesat.
Më 30 korrik të atij viti, Prokuroria kishte dërguar në gjykatë aktvendimin për zgjerim të hetimeve në këtë çështje edhe kundër të pandehurit tjetër G.P.
Një ditë më pas, Prokuroria propozoi që ndaj tre të pandehurve M.S., A.S. dhe A.A. masën e paraburgimit ta zëvendësojë me masën e arrestit shtëpiak. Kjo masë edhe hyri në fuqi për dy muaj. Paraprakisht thuhet se atyre u janë konfiskuar pasaportat suedeze.
Pas kalimit të afatit prej dy muajsh më s’ka pasur kërkesë për vazhdim të masës së arrestit shtëpiak nga ana e prokurorisë.
Tek dy vjet më pas, më 9 shkurt 2015, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte ngritur aktakuzë ndaj M.S. dhe A.S. për veprën e bashkëkryerjes së “vrasjes në tentativë” dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe për G.P. për veprën vrasje në tentativë e armëmbajtje pa leje. Ndaj A.A. pushuan hetimet.
Pas ngritjes së aktakuzës lënda iu nda gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Musa Konxheli. Një vit pas ngritjes së aktakuzës, më 2 shkurt 2016 u caktua seanca për shqyrtim fillestar, por nga fletëkthesat qe konstatuar se A.S. dhe G.P. janë të panjohur si në adresat e dërguara.
U desh edhe një vit që të kërkohej verifikimi i adresës përmes policisë. Stacioni i Policisë më 6 shkurt 2017 njoftoi gjykatën me adresën e A.S., por që sipas njoftimit ai ishte në Suedi.
Tek dy vjet më vonë, gjyqtari Musa Konxheli kaloi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe lënda e tij iu nda Sahit Krasniqit që ka caktuar seancë për 12 shkurt 2020, por që pas “shikimit të shkresave të lëndës ka kuptuar se në këtë çështje penale ka vepruar si gjyqtar i procedurës paraprake dhe më 07.02.2020 i ka parashtruar kërkesë kryetarit të kësaj gjykate për përjashtim nga kjo çështje penale”.
Kryetari i Gjykatës, Bashkim Hyseni, më 12 shkurt ka aprovuar kërkesën e Krasniqit për përjashtim. Më 17 qershor, çështja iu nda gjyqtares Hysnije Gashi. E ajo doli në pension më 16 dhjetor 2020. Me këtë rast, Sahit Krasniqi si ushtrues detyre i kryetarit të gjykatës e ricaktoi gjyqtar Mustaf Tahirin.
Më 1 qershor 2021 Tahiri caktoi shqyrtimin fillestar. Më 21 maj, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët në procedurë dhe prokurorin e shtetit e mbrojtësit se seanca e paraparë për 1 qershor është shtyrë për një dit më pas pasi kryetari i trupit gjykues ka qenë i angazhuar me një çështje penale të natyrës urgjente – vrasje.
Nga zyra e mbrojtësit të M.S., më 27 maj avokatët mbrojtës kanë dorëzuar kërkesën për shtyrje të seancës nga 2 qershori me arsyetimin se mbrojtësi i të pandehurit Avni Ibrahimi s’mund të prezantohet në seancë për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi ishte i shtrirë nga 24 maji në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Më 2 qershor, kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahiri, ka konstatuar se prezent ka qenë avokati Hajrush Nuhiu i A.S. e i cili ka thënë se nuk ka pasur kontakte me klientin e tij pasi i njëjti jeton jashtë vendit – në Suedi – por që do të përpiqet të bjerë në kontakte në mënyrë që ai të paraqitet në gjykatë. Gjithashtu nuk kanë qenë të pranishëm as të pandehurit M.S. dhe G.P. e as prokurori i shtetit i cili ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt.
“Për këtë arsye gjykata në mungesë të kushteve ligjore seancën e ka shtyrë në afat të pa caktuar dhe e ka obliguar mbrojtësin Hajrush Nuhiu që të kontaktojë me të mbrojturin e tij në mënyrë që i njëjti të paraqitet në këtë gjykatë për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor”, thuhet në njoftim.
Më 21 maj, gjyqtari Tahiri ka kërkuar nga stacioni policor në Mitrovicë verifikimin dhe sigurimin e adresës së të pandehurit G.P.
Duke marrë parasysh se të pandehurit M.S. dhe A.S. sipas njoftimit jetonin jashtë vendit, gjyqtari ka konstatuar se të pandehurit do të ftohen gna mbrojtësit e tyre dhe seanca qe caktuar për 23 shtator me fillim prej orës 10:00.
Të pandehurit tjetër G.P. i është dorëzuar ftesa për shqyrtim gjyqësor.
Kjo gjykatë ka thënë se ndaj A.S. në Gjykatën Themelore të Ferizajt, përveç këtij rasti s’ka evidentuar ndonjë tjetër.
Tani ndaj A.S. është kërkuar paraburgim nën dyshimin për “bashkëkryerje të vrasjes së rëndë”. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në dhunën që Dardan Krivaqa dyshohet se e ka ushtruar ndaj bashkëshortes së tij. Të dy e kanë dërguar pa shenja jete M.O. 18-vjeçare në fundjavë.