Arbëri

Paqartësi nëse studentët e kolegjeve private mund të japin mësim në institucione publike

Ndryshimet ligjore të iniciuara nga Ministria e Arsimit kanë krijuar paqartësi te studentët e kolegjeve private nëse do të kenë të drejtë të punësohen në institucione publike të arsimit. Nga MASHTI nuk kanë sqaruar një gjë të tillë, ndërsa nga Kolegji AAB thonë se këto ndryshime nuk mund t’i afektojnë studentët e këtij kolegji

N.N. (emër i njohur për redaksinë) sapo ka përfunduar studimet në drejtimin Përkujdesje dhe Mirëqenie Sociale në një kolegj privat. Por, ajo ka ngritur si shqetësim se kjo diplomë nuk do t’i vlejë për punësim në institucionet publike.

Kjo pasi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ndryshuar udhëzimin administrativ për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm, duke e hequr Programin për Përkujdesje dhe Mirëqenie Sociale nga ky udhëzim.

“Tash i bie që ne kemi kryer studime 4 vjet kot”, ka thënë kjo studente.

Iniciativat ligjore të ndërmarra nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë krijuar paqartësi te studentët e kolegjeve private, nëse pas përfundimit të studimeve mund të punësohen si edukatorë në institucione publike.

Kjo Ministri në fund të qershorit ka miratuar udhëzimin administrativ për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm, duke shfuqizuar atë të vitit 2018. Në këtë udhëzim nuk është përfshirë programi “Përkujdesja dhe mirëqenia sociale”.

Sipas MASHTI-t, me Ligjin për Arsimin e lartë, neni 16, pika 5 definohet se “vetëm bartësit publikë të arsimit mund të ofrojnë programe studimi që çojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t’u punësuar në një shkollë”.

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN ka thënë se qëllimi i Udhëzimit Administrativ 05/2021, për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm është përcaktimi i normativit për kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm për nivelet: edukim parashkollor, arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë dhe konviktet e nxënësve.

“Hartimi dhe përgatitja e këtij udhëzimi kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e parapara ligjore. Grupi Punues po ashtu ka pranuar komente nga konsultimi paraprak dhe diskutimi publik për mospërfshirjen e programit në fjalë. Duke u bazuar edhe në komentet që janë marrë, si dhe në faktin se përfshirja më tutje e këtij programi është në kundërshtim me dispozitat e cekura më lart, nuk është përfshirë programi ‘Përkujdesja dhe mirëqenia sociale’”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Por Shemsedin Vehapi, prorektor në Kolegjin AAB, i cili ofron një program të tillë, ka thënë për KOHËN se ky udhëzim nuk mund të afektojë studentët e këtij kolegji.

“Ne jemi në rrjedha të ndryshimeve që janë bërë me udhëzim administrativ e që lidhen me Programin e Përkujdesjes dhe Mirëqenies Sociale, mirëpo jemi të bindur që këto ndryshime nuk afektojnë programin që ofrohet në AAB, për të cilin ka pasur akreditime dhe licencë para se të aprovohet Ligji për Arsimin e Lartë që rregullon fushëveprimin e arsimit të lartë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ka disa institucione që kanë ofruar program të ngjashëm, por që akreditimin e kanë marrë pas aprovimit të ligjit. Por ka shprehur bindjen që kjo nuk ka të bëjë me programin e AAB-së.

“Kisha dashtë t’i sigurojë studentët që gjithçka që ka të bëjë me ta është e rregulluar me normativat që rregullojnë këtë çështje, e di që te studentët janë ngritur disa shqetësime dhe kjo ka qenë arsyeja që i jemi drejtuar Ministrisë që me na i bë të qartë se si qëndron, pasi që jam i bindur se ashtu siç është rregulluar deri më tani programi nuk ka telashe”, ka theksuar ai.

Krahas këtij udhëzimi, MASHTI është në proces të shfuqizimit të udhëzimit administrativ nr. 02/2017 të datës 16.2.2017 për vlerësimin e programeve studimore të bartësve privatë të arsimit të lartë.

Sipas kësaj ministrie, kërkesa për shfuqizimin e tij ka ardhur nga drejtoritë komunale të komunave dhe të Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve.

“Gjithashtu ekziston një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili konstaton kundërligjshmërinë e këtij udhëzimi. Konform kësaj, me kërkesë të Departamentit të Arsimit të Lartë në MASHTI është iniciuar shfuqizimi i këtij udhëzimi. Aktualisht ky udhëzim është në dëgjim publik. I njëjti udhëzim e ka kaluar diskutimin paraprak pa asnjë vërejtje apo sugjerim”, thuhet në përgjigje.

Por njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se shfuqizimi i këtij udhëzimi ka kuptim nëse ofrohet një zgjidhje për këtë problematikë.

“Ka një numër të madh të mësimdhënësve që veç janë pjesë e sistemit dhe të tjerë që pritet të rekrutohen dhe që prek ky shfuqizim. Shpresa jonë është që MASHTI të ofrojë një zgjidhje për këtë kategori të mësimdhënësve, në mënyrë që të mos ketë një reagim institucional pastaj mes DKA-ve dhe MASHTI-t dhe t’iu lejohet puna këtyre mësimdhënësve që janë në një situatë të tillë”, ka pohuar Qehaja.

Sipas tij, nevojitet një rishikim i legjislacionit sekondar, por edhe i plot të tjerëve në mënyrë që një herë e përgjithmonë të rregullohet profesioni i mësimdhënësi në mënyrë që rekrutimi i mësimdhënësve të jetë i mirëdefinuar dhe të mos ketë paqartësi rreth asaj se cili mësimdhënës i plotëson kriteret dhe kush jo.

Megjithatë, Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur se çfarë ndodh me studentët që përfundojnë për programe, siç është ai i “Përkujdesjes dhe Mirëqenies Sociale dhe se a mund të punësohen në institucionet publike të arsimit”.