Arbëri

Lumezi i heshtur përballë incizimeve që e inkriminojnë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, për rreth një javë është përmendur disa herë në incizime të publikuara nga portali Shqip.

Bllokimi i një veture nga hetuesia ishte bërë shkas që pronari i kësaj makine, të kontaktonte me zyrtarë në funksione të larta të shtetit. Në ndihmë deri tash del t’i kishin dalë ish-drejtori i Inteligjencës Financiare, prokurorja e Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani, si dhe anëtari i KGJK-së e gjyqtari i Apelit, Driton Muharremi. Emri i kryeprokurorit Lumezi përmendej si adresa e cila do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit.

Për gati një javë kryeprokurori i shtetit nuk është ndier i gjallë. Nuk ka dalë me sqarim e as që u është përgjigjur mediave për përmendjen e emrit të tij.

E për një javë ka heshtur edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ky institucion ka reaguar vetëm të mërkurën në orën 19:00. 

Por ndryshe ka vepruar Këshilli Gjyqësor. Përfshirjen e gjyqtarit Driton Muharremi ky institucion ka thënë se do ta adresojë.

“Me përgjegjësitë ligjore që ka ky Këshill do të vazhdojmë të përcjellim situatën dhe do të veprojmë sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Për përfshirjen në këtë skandal të njerëzve të drejtësisë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në konferencën për media të thirrur për këtë çështje, ajo ka thënë se incizime të tilla shpërfaqin nevojën urgjente për vetting në sistemin e drejtësisë.

“Nga këtu, publikisht, duke qenë e vetëdijshme edhe për ndarjen e pushteteve, si ministre e Drejtësisë, u bëj thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të ndërmarrin urgjentisht masat adekuate përbrenda kompetencave, në mënyrë që të hetohen dhe trajtohen rastet të cilat sfidojnë dhe cenojnë seriozisht integritetin institucional të institucioneve të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.

Shoqëria civile ka kërkuar veprime urgjente të Prokurorisë së Shtetit. Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke ironizuar me mundësinë e hetimit të këtij rasti, ka thënë se shpreson që ky rast të mos hetohet nga ndonjë këshilltar i Lumezit ashtu siç kishte ndodhur kur dyshimet për falsifikim të provimit të jurisprudencës i kishte hetuar njeriu i afërt i tij.

Deri tani nga publikimi i këtyre audioincizimeve postin e ka humbur vetëm ish-drejtori i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.