Arbëri

Dogana thotë se pandemia është rreziku kryesor në arritjen e projeksioneve

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në emisionin “Sot” në KTV ka folur për rekordin e të hyrave që ka realizuar ky institucion gjatë këtij viti.

Llugaliu ka thënë se janë realizuar të hyra mbi 700 milionë euro, e nëse merret parasysh deri fund korrikut, është afro 735 milionë euro. Kjo shënon një rritje prej mbi 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar, e mbi 15 për qind krahasuar me vitin 2019.

“Kjo shënon një rritje të madhe kur e krahasojmë me vitin e kaluar, kur të gjithë e dimë se viti i kaluar pati sfida e ishte vit i brishtë në shumë kuptime. Por nëse e krahasojmë me vitin 2019, prapë qëndrojmë me 15 për qind të hyrave të grumbulluara më shumë se në vitin 2019”, ka thënë Llugaliu.

Llugaliu ka thënë se me buxhetin e rishikuar që ka kaluar në Kuvend javën e kaluar, është paraparë një rritje e theksuar mbi 6 për qind e projeksionit të hyrave që e kishte Dogana. Por ai thotë se do të jetë e arritshme nëse nuk pengon pandemia.

“Do të ketë sfida me buxhetin që është kaluar gjatë javës së kaluar, me rishikimin e buxhetit është paraparë rritje e theksuar e mbi 6 për qind për projeksionin e të hyrave. Pritet që këto të jenë 1.284 miliardë euro. Në bazë të gjitha parashikimeve do të jetë e arritshme. Faktori kryesor është çështja e pandemisë. Ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të rasteve. Ky është rreziku kryesor. Nëse kjo pjesë nuk ndikon, atëherë jemi optimist se do të jetë i arritshëm gjithë projeksioni i parashikuar”, tha Llugaliu.

Llugaliu ka thënë në emisionin “Sot” se eksporti ka qenë një prej faktorëve që ka ndikuar në rritjen e të hyrave.

“Në eksport është shënuar rritje e jashtëzakonshme këtë vit. Edhe vitin e kaluar kishte sasi bukur të madhe të eksportit, por për kohë që po flasim ne kemi 381 milionë mallra të eksportuara që janë prodhuar në Kosovë. Është shifër prej 63 për qind më e madhe se vitin e kaluar. Edhe vitin e kaluar kishte rritje prej 17 për qind krahasuar me vitin 2019. Nëse diçka nuk është ndikuar nga pandemia është eksporti. Janë shifra shpresëdhënëse që ekonomia jonë do të arrijë që në vitet në vijim të shmangë atë mospërputhje të lartë që ishte në bilancin tregtar të Kosovës me tregti me jashtë”, ka thënë Llugaliu.