1 perditesime
Arbëri

​Beau Bideni nderohet me medaljen presidenciale

​Beau Bideni nderohet me medaljen presidenciale
Foto: Driton Paqarada / KOHA
19:22

​Beau Bideni nderohet me medaljen presidenciale

Presidentja Vjosa Osmani në një ceremoni solemne sot ka dorëzuar medaljen presidenciale post-mortem për Beau Biden, djali i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për kontributin e tij në fushën e drejtësisë pas luftës në Kosovë.

Medalja presidenciale është pranuar nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ndërsa përmes video-mesazhit të pranishmëve iu është drejtuar presidenti Biden.

Në këtë ceremoni përveç presidentes Vjosa Osmani, morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett.

Presidentja Osmani në fjalimin e saj ka çmuar lart rolin që Beau Biden kishte në trajnimin e gjyqtarëve dhe themelimin e institucioneve të Kosovës së pasluftës./KSP/

19:01

Osmani: Beau Biden punoi për të forcuar rendin dhe ligjin në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, djalin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden ka thënë se në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.

Ajo ka thënë se janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette "Beau" Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware.

“Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë. Sundimi i Ligjit, siç e dini, nuk është vetëm temë e rëndësishme për mua, por diçka së cilës ia kam kushtuar gjithë karrierën time profesionale. Kërkimi i drejtësisë dhe forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm një lëndë abstrakte teorike apo akademike; kjo është një temë kaq e rëndësishme për mua ngaqë besoj se duhet të jetë synim i yni i përhershëm e t’i përcaktojë veprimet tona, meqë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë. Unë besoj se sundimi i ligjit është parakushti themelor për suksesin tonë si vend”, ka thënë ajo.

Sipas saj, krijimi i institucioneve dhe trajnimi i gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës.

“Dëshira për ta forcuar më tej sundimin e ligjit u bë jashtëzakonisht e qartë në kutitë e votimit në fillim të këtij viti. Qytetari ynë foli zëshëm, prandaj është detyra jonë morale dhe politike që, si institucione, të sigurojmë se do të vazhdojmë përpara me reformat në sistemin tonë të drejtësisë. Përveç marrëdhënieve personale dhe mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të ndryshëm nga SHBA-ja në tri dekadat e fundit, unike mbetet edhe lidhja dhe dashuria e vërtetë që dy vendet tona kanë për njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për Kosovën, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh sot bota.

“Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona.

Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t'i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur. Flamujt amerikanë do të vazhdojnë të valëviten lart dhe me krenari në të gjithë Republikën e Kosovës - kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohjen tonë për mbështetjen që ju na keni dhënë për dhjetëvjetësha të tërë përmes njerëzve si Beau dhe çdo qytetari tjetër të Shteteve të Bashkuara, që ka kontribuar për paqen, sigurinë dhe shtetësinë tonë”, ka shtuar tutje ajo.

Osmani ka thënë se si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë.

“Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviçit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë. Ndërsa, më vonë, kur Kosova u përball me sfidën e saj më të madhe të pasluftës, kur ne po përgatitnim deklaratën tonë të Pavarësisë, Presidenti Biden tha se ishte ‘besimi i fortë i Beau-t, të cilin e kishte bartur nga prania e tij këtu, që në thellësitë e kohëve shumë të vështira që bëri të sigurt se thirrja për pavarësinë e këtij vendi të mirë ishte gjëja e duhur, të cilën duhet ta bëja’”, ka thënë ajo.

Beau Biden ka vdekur nga kanceri në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan.