Arbëri

Ratkoceri: Marrëveshjet në Shkup për “Open Ballkan” janë gjysmake

Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Arben Ratkoceri, ka thënë se samiti i mbajtur sot në Shkup mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, që përfundoi me marrëveshjen e ‘’Open Balkan’’, ka shumë paqartësi.

Ai thotë se kjo marrëveshje është shumë gjysmake, për shkak se tri shtete të rajonit nuk janë pjesë e saj.

‘’Nga pikëpamja mediale është përcjell ky samit i mbajtur në Shkup. Këto dokumente të nënshkruara edhe teknikisht janë gjysmake, përderisa mungojnë edhe tri shtete të rajonit. Ka paqartësi shumë. Edhe iniciuesit nuk kanë arritur ta sqarojnë këtë, si do të jetë fundi i kësaj. Ka një far lloj skepticizmi. Iniciativa të ngjashme ka pasur më herët, por asokohe kur u takuan presidentët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, takimin e bojkotoi Serbia’’, ka thënë Ratkoceri në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së.

Tutje, ai deklaroi që asnjë nga partitë shqiptare nuk kanë reaguar rreth kësaj marrëveshje.

‘’Asnjë reagim nuk ka. BDI-ja që është parti qeveritare dhe i bie që në një farë forme e përkrah këtë, ndërsa partia opozitare Aleanca nuk ka pasur ndonjë reagim. Realisht partitë shqiptare janë në gjendje shumë të vështirë dhe në pozitë të palakmueshme’’, deklaroi Ratkoceri.