Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë këtë vit për herë të parë do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore është thënë në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.
Këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë gjithashtu janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program.
“Ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa u përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara” ka thënë kryeministri Albin Kurti, në takimin e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e një Qendre të re të Komunitetit dhe Mësimit në Fushë Kosovë.
“Qendrat mësimore si kjo e juaja kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e këtij hendeku, duke mobilizuar potencialin e komunitetit që t’i ndihmojë pjesëtarët e vet. Por, në krah do ta keni edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të hezitojë t’i mbështes nismat e tilla” është shprehur më tutje Kurti.
Qendra sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit ka për qëllim të mbështesë rreth 300 fëmijë në edukim, për të zgjeruar njohuritë dhe për t'u bërë agjentë të ndryshimeve pozitive për komunitetin e tyre.