Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta, në mënyrë që të mos përfundojnë për trajtime në ambulanca dhe spitale si të helmuar.
IKSHPK-ja përmes një njoftimi ka ftuar qytetarët të shmangin sidomos produktet nga mishi i përpunuar dhe salcat.
“Shmangia e konsumimit të mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht! Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, majonezë, salcat e ndryshme, etj. Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier! Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara. Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë. Konsumoni qumësht të pasterizuar ose të zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm. Ushqimi i mbetur të ruhet në frigorifer. Ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet dhe nuk duhet të ringrihet”, janë disa nga këshillat e IKSHPK-së për qytetarët.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.