Arbëri

Qeveria druan se Mini-Schengeni krijon hapësirë ndikimi për Rusinë e Kinën

Treshja Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev paralajmëruan se të enjten në Shkup do t’i vënë themelet e Ballkanit të ri, nëpërmjet marrëveshjeve që do t’i firmosin në kuadër të Mini-Schengenit ballkanik. Qeveria e Kosovës e quan nismë fantazmë këtë dhe mes argumenteve që jep për mospërfshirje, është edhe ai se iniciativa krijon hapësirë ndikimi për Rusinë e Kinën. Por në shoqërinë civile druajnë se një qasje e këtillë e getoizon Kosovën brenda Gadishullit Ballkanik

Qeveria e Kosovës do ta shpërfillë thirrjen e fundit të treshes Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev që të përfshihet në nismën e Novi-Sadit për Mini-Schengenin ballkanik.

Tri ditë më parë liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut patën një takim virtual, në funksion të përgatitjeve për të enjten, kur në Shkup do të firmosin marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të kësaj nisme. Kryeministri maqedonas tha se kjo ngjarje vë themelet e Ballkanit të ri.

Por Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, i jep një epitet tjetër Mini-Schengenit ballkanik.

“Kjo iniciativë e Novi-Sadit, e ashtuquajtura Mini-Schengen, është një iniciativë e cila është më shumë si fantazmë, e cila po sillet në rajon”, thotë Zulfaj. “Nuk ekziston asgjë e shkruar dhe, siç e ka thënë edhe kryeministri, nuk ka vizion për rajonin, sepse nuk është e mbështetur as nga Bashkimi Evropian dhe nuk ka angazhim direkt dhe të drejtpërdrejtë të BE-së”.

Avdullah Hoti në cilësinë e kryeministrit ishte pajtuar shtatorin e vjetëm në Uashington që Kosova të përfshihej në nismën e Mini-Schengenit ballkanik.

Këtë fakt e përmend Emir Abrashi, hulumtues në organizatën “Demokraci Plus” kur argumenton pse Qeveria Kurti nuk duhet të jetë kaq kategorike kundër përfshirjes në nismë.

“Pas Mini-Schengenit është e vërtetë që Bashkimi Evropian nuk qëndron, sepse nuk është iniciativë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, për procesin e Mini-Schengenit ne kemi marrë një zotim në Shtëpinë e Bardhë dhe këtë e kemi bërë me administratën Trump”, thotë Abrashi. “Dhe pas ndryshimit të administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne nuk kemi një tërheqje nga administrata Biden, që nënkupton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin procesin e Mini-Schsengenit”.

Krahas Kosovës, në këtë iniciativë nuk janë përfshirë as Mali i Zi dhe as Bosnjë-Hercegovina.

Në takimin paraprak, Rama, Vuçiq e Zaev lëshuan një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës u kërkuan këtyre tri vendet që të reflektojnë.

“Ne i ftojmë dhe inkurajojmë kolegët tanë në rajon të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të ngjashme në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një tregu të përbashkët, të bëhet pjesë e qenësishme e jetës së përditshme të qytetarëve tanë”, thuhet në të.

Podgorica zyrtare ka dhënë sinjale se mund të ndërrojë pozicion.

E Abrashi tregon një arsye tjetër pse Qeveria nuk duhet betonizuar në pozicionimin e tashëm.

“Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme kur u qaset entiteteve të tilla, të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal”, thotë ai. “Për shkak se Kosova aktualisht është e getoizuar brenda kontinentit evropian, nuk kemi nevojë që të getoizohemi edhe brenda Gadishullit Ballkanik”.

Por në kabinetin e kryeministrit Kurti shprehin një drojë të madhe.

Këshilltari Zulfaj thotë se nismat sikur kjo e Novi-Sadit krijojnë hapësirë ndikimi për vendet e treta si, për Rusinë dhe Kinën.

“Natyrisht ne presim që të gjitha shtetet t’i përmbahen agjendës së integrimeve në Bashkimin Evropian dhe të mos krijojnë iniciativa, edhe paralele, por edhe të shkëputura, të cilat krijojnë hapësirë për ndikimin qoftë të Rusisë apo Kinës në rajonin tonë”, thekson Zylfaj.

Ka muaj që kryeministri Kurti i është kundërvënë Mini-Schengenit, me nismën e tij për një marrëveshje të quajtur SEFTA, e cila promovon një bashkëpunim rajonal që bazohet në barazi dhe reciprocitet, që ka mekanizma zbatues dhe që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.