Arbëri

“Pastrimi” i 400 mijë eurove, edhe me dorëza e maska

Descriptive Text

Dy biznese të lidhura me njerëz të përfshirë në menaxhimin e aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën” kishin lëshuar fatura për të arsyetuar gjysmën e buxhetit prej 815 mijë eurosh që, pa përfillur procedurat, Qeveria ia kishte dhënë një organizate joqeveritare. Saktësisht 253 mijë euro është shuma kumulative e faturave për fanella, dorëza, maska e çizme, të cilat ishin kontraktuar te një biznes që ishte hapur vetëm një vit më parë. Ndërkaq në vlerë prej 155 mijë eurosh ishin faturat për kontejnerë, të lëshuara nga një kompani tjetër. Me faturat e tjera është arsyetuar qiraja e një autobusi për 9 mijë euro, furnizimi edhe me 17,500 sandviçë shtesë e edhe hapësira që u ka krijuar si mysafirë seriali “O sa mirë”, për çmimin 33 mijë euro

Sa dyfishi i 23 mijë sandviçëve të pangrënë është numri i fanellave që figurojnë në faturat, me të cilat u arsyetuan në Qeveri shpenzimet e aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”. Janë rreth 400 mijë euro shpenzime që, krahas me fanella, u “pastruan” edhe me dorëza, maska e kosha plehrash.

Faturat për këtë shumë shpenzimesh mbajnë logon e dy bizneseve që për pronarë kanë njerëz të afërt me drejtuesit e dy organizatave joqeveritare që ndodheshin në Task-forcën e formuar nga Qeveria.

Në majin e vjetëm, Luan Hasanaj publikisht shpreh mirëpritjen për një listë anëtarësh që i ishin bashkëngjitur një grupi në Facebook, të krijuar me iniciativën e organizatës që ai e udhëheq – “Ta Pastrojmë Kosovën”. Në mesin e tyre ishte edhe i riu Rron Islami.

Islami në 2017-n kishte krijuar biznesin “Top Business SHPK”, me seli në Prishtinë. Mbështetur në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ai është aksionar i vetëm i kompanisë e edhe drejtor i saj.

Nga dorëzat te shportat e bërllokut

Kur biznesi bëri një vit veprimtari, me fatura që mbajnë logon e tij u arsyetuan më shumë se 253 mijë euro shpenzime të bëra në kuadër të aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, nga gjithsej 815 mijë euro që Qeveria jashtë procedurave ia kishte dhënë organizatës së Hasanajt për ta zhvilluar këtë aksion.

Dëshmitë që ka siguruar KOHA mbi aksionin e zhvilluar në 2018-n, përmbajnë edhe tri pagesa që Qeveria i ka bërë për dy kontrata që organizata kishte me këtë biznes.

Njëra pagesë është 163,551.00 euro. Kontrata që korrespondon me të është njëfaqëshe dhe palë nënshkruese në të janë Hasanaj dhe B.A., e cila ka firmosur në emër të biznesit. Nëpërmjet dokumentit parashihej që për këtë shumë të ofroheshin 50 mijë fanella me ngjyra të ndryshme sipas kërkesës dhe që përpara dhe anash në krah të bëhej shtypja e logos “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Dy pagesat e tjera – njëra 71,095.00 euro e tjetra 19,003 euro – janë bërë për kontratën e dytë, të lidhur nga palë të njëjta. Sipas kontratës, në vlerë të këtyre dy shumave do të ofroheshin dorëza pune, maska të thjeshta, çizme të peshkatarëve, çizme të thjeshta të plastikës, lopata, krehër për mbeturina dhe rroba pune.

KOHA nuk arriti të sigurojë përgjigje nga kompania “Top Business SHPK” nëse faturat që mbulojnë këtë shumë prej 253 mijë eurosh ishin false ose jo, dhe nëse produktet dhe sasitë që figurojnë si të blera ishin ofruar për aksionin që mbështetej nga Qeveria. Përgjigje për këtë nuk është kthyer as nga e-maili zyrtar e as në numrin e telefonit që kompania i ka vënë si kontakte në kontratë dhe në ARBK.

Pjesa e parë e hulumtimit:

 

Një ditë më parë, KOHA raportoi se shumë nga shpenzimet e aksionit, organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” i arsyetoi edhe me fatura të rreme. Me mbi 23 mijë sandviçë e pije te një restoranti të Mitrovicës do të duhej të ushqeheshin vullnetarët në vjeshtën e 2018-s, kur është organizuar fushata. Shujtat nuk ishin gatuar, ani se për to organizata që ka menaxhuar me aksionin ka nxjerrë para nga buxheti i shtetit.

“Hydro BG” është një biznes tjetër, me faturat e të cilit u arsyetuan në Qeveri shumë nga shpenzimet e aksionit. Drejtor i biznesit është Kushtrim Buleshkaj, një mik i Lorik Muçajt, themelues i “Green Art Center”, një nga dy organizatat joqeveritare që ishte pjesë e Task-Forcës së Qeverisë, që u mor me aksionin për pastrimin e Kosovës. Muçaj është kushëri i Anita Haradinajt, bashkëshorte e Ramush Haradinaj, i cili ishte kryeministër në kohën kur Qeveria formoi Task-Forcën.

Muçaj nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes nëse afërsia mes tyre ishte shfrytëzuar për të lidhur kontratë, për qëllim të aksionit.

Qeveria lëshoi 155,500.40 euro në llogarinë e organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, në bazë të kontratës dhe faturave të “Hydro BG”. Mbështetur në kontratën e firmosur nga Luan Hasanaj e Kushtrim Buleshkaj, për këtë vlerë duhej të ofroheshin kontejnerë, si dhe shporta montuese. Dokumenti njëfaqësh shpreh ujdinë që 124,400.00 euro të jepeshin avancë dhe 31.100.00 euro të tjera, pas dorëzimit të pajisjeve.

Buleshkaj nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve në lidhje me shumën reale që kompania e ka marrë për këtë furnizim, nuk ka treguar se me kërkesë të kujt është bërë furnizimi dhe as nëse janë bërë pagesat nëpërmjet llogarisë bankare.

9 mijë euro qiraja e autobusit

Asnjë kontrate nuk i kishte paraprirë një proces prokurimi. Organizata kishte gjetur një “formulë” se si të shmangej kjo procedurë.

Nëpërmjet një shkrese, Luan Hasanaj në emër të “Ta Pastrojmë Kosovën” kishte kërkuar nga Qeveria që mjetet e dedikuara për organizimin teknik të aksionit të pastrimit të Kosovës të realizoheshin përmes organizatës që e udhëhiqte dhe jo përmes Qeverisë. Kjo, për t’i ikur prokurimit.

Kërkesa ishte përcjellë në mbledhjen e 62-të të Qeverisë, në të cilin ishte shqyrtuar dhe miratuar Plani i aktiviteteve me buxhet për aksionin e pastrimit të Kosovës, në vlerë 815,035.00 euro.

Propozimin për ta kaluar këtë plan, por edhe kërkesën e organizatës i kishte prezantuar ministri i atëhershëm i Mjedisit, Fatmir Matoshi, i cili ishte në krye të Task-Forcës, që përbëhej nga përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, nëntë ministra dhe përfaqësues të dy organizatave joqeveritare – “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe “Green Art Center”.

“Është kërkesë e organizatës... që mjetet financiare, të dedikuara për organizimin teknik të aksionit për pastrim të Kosovës, të realizohen përmes organizatës për shkak të procedurave të stërzgjatura”, citohet Matoshi, në procesverbalin e kësaj mbledhjeje.

E, ndonëse institucionet e dominonin Task-Forcën, Qeveria ishte përcaktuar që buxheti prej gati një milion eurosh, i paraparë për zbatimin e planit të aktiviteteve, të administrohej nga organizata “Ta Pastrojmë Kosovën”. Ishte bërë kjo në kundërshtim me Rregulloren mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve.

Matoshi në mbledhje kishte thënë se në shumën prej 815,035.00 eurove, që e kërkonte organizata, nuk përfshiheshin shpenzimet operative të ministrive, kostot e angazhimit të makinerive, si dhe pagesa për punëtorët sezonalë.

Por edhe me fatura për shpenzime operative, për angazhim makinerish me pagesa për njerëz të angazhuar në fushatë janë arsyetuar shpenzimet e këtij buxheti nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”.

Një nga kontratat figuron të jetë lidhur me kompaninë “Dita” nga Podujeva. Nëpërmjet saj bëhej marrëveshje për ofrimin e shërbimit të transportit me 100 autobusë për tërë territorin e Kosovës, ofrimin e transportit për aksion përgjatë brezave rrugorë dhe merrej me qira një autobus për 3 muaj gjatë tërë projektit, e në të cilin parashihej të vendosej logoja e projektit.

Në fund të dokumentit figuron çmimi prej 39 mijë eurosh.

Sipas faturave, për transportimin e 5 mijë vullnetarëve përgjatë brezit rrugor duhej angazhuar 100 autobusë, dhe çmimi për një ishte 150 euro, që në total bënin 15 mijë euro. Angazhimi i 100 autobusëve të tjerë për transport gjatë aksionit në 38 komuna ishte kostuar me 15 mijë euro të tjera.

Ndërkaq për qiranë e autobusit dhe brendimin e tij ishte përgatitur faturë prej 9 mijë eurosh.

E, një tjetër faturë flet për shpenzime në derivate. Ajo mban logon e kompanisë “Alfa Trade” dhe bazuar në të Qeveria ka përcjellë tek “Ta Pastrojmë Kosovën” shumën 35,100.00 euro.

Një kontratë me kompaninë “Scampa” është në vlerën 19,473.00 euro dhe parashihte furnizim me 150 mijë thasë 120-litërsh. Ndërkaq në faturë figurojnë për këtë çmim 30 mijë tuba thasësh.

Plus 17,500 sandviçë

Në dosje ndodhen edhe kontrata për pastrimin dhe heqjen e mbeturinave gjatë aksionit, ani se ish-ministri Matoshi kishte thënë se kjo nuk përfshihej në buxhet. Megjithëkëtë, Qeveria kishte derdhur 12,500.00 euro në konton e organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, pasi ajo kishte prezantuar në Zyrën e Kryeministrit fatura në këtë vlerë në emër të kompanisë “Renonova Ag Kosova”, si dhe 5,000.00 euro të tjera për faturat e lëshuara nga kompania “Mati”. Ndërkaq 7,500.00 euro është pesha e kontratës me kompaninë “Tekniku”, për angazhimin e makinerisë për bartjen e materialeve inerte.

Shpenzimet nuk janë arsyetuar vetëm me rreth 23 mijë sandviçët e pijet që figuronin në faturat e një restoranti të Mitrovicës, e për të cilat fatura pronari tha t’i jenë falsifikuar.

Mbështetur në një kontratë, së cilës i është shoqëruar edhe fatura, kompania “Aktiv” ka shërbyer me 12,500 sandviçë, për shumën 24,499.78 euro.

Më shtrenjtë figurojnë të jenë kontraktuar 5,000 sandviçë të tjerë, në restorantin “Aroma 2”. Secili figuron të jetë shoqëruar me nga një lëng, për çmimin 10,000.00 euro në total.

Në dosje ndodhen edhe dhjetëra fatura në vlera më të vogla se 1,000.00 euro, për shujta të shërbyera gjithandej Kosovës.

Shuma të mëdha figurojnë të jenë shpenzuar edhe për vetëdijesim e promovim.

Fiks 28 mijë euro është shuma e që Qeveria i ka paguar tek organizata, pas faturave të dorëzuara nga kompania “Trejat”: 9,500.00 janë dhënë në emër të videove vetëdijesuese gjatë kohëzgjatjes së projektit, përkatësisht pagesës së minutazhës së transmetimit në televizione; 8,500.00 euro për hartzimin e deponive ilegale në brezin rrugor dhe për lansimin e një platforme; si dhe 10,000.00 euro për videoreportazhe për të gjitha aksionet dhe komunat gjatë fushatës së pastrimit.

Një kontratë tjetër flet për furnizimin e stendave promovuese me logo. Në bazë të saj, kompania “City Design” përgatit dhe dizajnon 1,000 tabela me mesazhe për ruajtjen e mjedisit dhe i vendos ato në lokacionet e pastruara. Kjo ishte kostuar me 20 mijë euro dhe Qeveria ia kishte lëshuar këtë buxhet organizatës.

Në dosje ndodhet edhe një tjetër kontratë e llojit të njëjtë me kompaninë e njëjtë, por që dallon vetëm për kah shuma – në të figuron shuma prej 1,160.00 eurosh.

Një kontratë tjetër arsyeton 7,500.00 euro shpenzime për përgatitjen, dizajnimin dhe shtypjen e fletushkave për fushatë, nga kompania “Studiorifati”.

“O sa mirë” – 33 mijë euro

Dhe, për aksionin vullnetar e “serioz” të heqjes së bërllokut është bërë kujdes që të zihet hapësirë në një nga serialet vendore të humorit – “O sa mirë”. Në mesin e kontratave të mëdha që ka siguruar KOHA, është edhe një me kompaninë “Gurmania”, e cila ka prodhuar serialin. Është kontratë njëfaqëshe, me këtë përshkrim: “Realizimi i 4 episodeve për të rritur në serialin vendor ‘O sa mirë’, dhe realizimi i 2 episodeve ‘O sa mirë kids’ për promovimin e aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’”.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 33 mijë euro. Krahas në këtë dokument, e njëjta shifër figuron edhe në faturën që mban firmën e kompanisë e edhe në dëshminë që Qeveria ia ka paguar organizatës. Fisnik Vejsa nga kompania “Gurmania” ka konfirmuar se janë lëshuar fatura për këtë shumë dhe ka thënë se, konform saj, u është dhënë hapësirë në serial edhe njerëzve të politikës e edhe të organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”.

Megjithëkëtë, edhe pas kërkesës së adresuar prej më shumë se dy muajsh, KOHËS nuk i janë prezantuar serialet dhe as minutazha gjatë së cilës në to është bërë humor me “Ta Pastrojmë Kosovën”