Arbëri

Ta “fshijmë” buxhetin

Descriptive Text

Në fund të 2018-s, Qeveria Haradinaj me 815 mijë euro kishte mbështetur aksionin tremujor “Ta Pastrojmë Kosovën”. Një hulumtim i realizuar nga KOHA gjeti se Qeveria jashtë procedurave ia dha nën menaxhim këtë buxhet një organizate joqeveritare, e cila pastaj shumë nga shpenzimet e aksionit i arsyetoi edhe me fatura të rreme. Zyra e Kryeministrit e edhe Auditori i kishin marrë si të mirëqena faturat e këtilla. Dokumentet e siguruara tregojnë se kontratat u lidhën pa u aplikuar procedurat e prokurimit dhe se një e treta e buxhetit përfundoi te një biznes që ishte krijuar vetëm një vit më herët

Me mbi 23 mijë sandviçë e pije të një restoranti në Mitrovicë do të duhej të ushqeheshin vullnetarët e aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, në vjeshtën e 2018-s. Shujtat nuk janë gatuar, ani se për to organizata që ka menaxhuar me aksionin ka nxjerrë para nga buxheti i shtetit.

Pronari i restorantit, i cili njëkohësisht ka edhe një biznes për organizim evenimentesh, thotë të jenë të rreme dy faturat për këtë ushqim, njëra në vlerë 34,478.00 euro e tjetra 12,450.00 euro, sikur edhe dy fatura që figurojnë në emër të biznesit tjetër të tij – njëra 14,000.00 euro e tjetra 15,000.00 euro.

“Këto vlera as nuk e di kush i ka tërheqë dhe as nuk kanë mbërri në llogaritë e biznesit tim”, tregon F. F., në kushte anonimiteti. “Faturat janë për aktivitete e shërbime që as nuk janë mbajtur, as nuk e kam idenë pse figurojnë te biznesi im”.

KOHA, pas një kërkese për qasje në dokumente publike, ka siguruar mbi 1,000 faqe dokumente për aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, e i cili gjatë kohës sa Qeveria drejtohej nga Ramush Haradinaj ishte mbështetur financiarisht me 815,035.00 euro, dhe gati e tërë shuma, pa përfillur procedurat i ishte përcjellë pjesë-pjesë një organizate joqeveritare që ka emrin e njëjtë me aksionin.

Faturat e rreme

Në dosje ndodhen edhe të katër faturat e rreme, shuma kumulative e të cilave është 75,928.00 euro.

Secilës i ishte bashkëngjitur nga një kontratë dyfaqëshe, e firmosur nga Luan Hasanaj në emër të organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe në to ndodhej edhe vula e organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Ndërkaq, në pjesën e dedikuar për restorantin, që ka inicialet V. V. (emër i njohur për redaksinë) shihet vetëm një “nënshkrim” i pronarit. Por pronari thotë se nënshkrimi i është falsifikuar.

Dy kontrata flasin për furnizim me ushqim e pije: Njëra për 17,239 sandviçë dhe lëngje për vullnetarët e pastrimit të rrugëve rajonale, për çmimin 34,478.00 euro, e tjetra për 6,225 shujta të njëjta, për çmimin 12,450.00 euro.

Në një nga dy kontratat e tjera, që kanë të bëjnë me aktivitete të aksionit, e që mbajnë logon e firmës P. M. (emër i njohur për redaksinë) ndodhet edhe vula krahas nënshkrimit të pronarit. Por ky pronar thotë të mos dijë se si ia kanë marrë vulën. Megjithëkëtë, thotë se është lehtë e verifikueshme se dikush tjetër e ka keqpërdorur.

“Qoftë në kontrata apo fatura, unë vulën e vendosi mbrapsht. Ndërsa në këto që më janë prezantuar, është e kundërta”, thotë ai. “Këtë detaj e gjeni edhe në të vetmen faturë që e kam lëshuar për ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, kur e organizoi një konferencë në restorant – ajo është 6 mijë euro”.

Ky mohon se ka lidhur kontrata apo ia ka lëshuar edhe dy faturat në emër të kompanisë tjetër.

Njëra kontratë flet për organizimin e koncertit lansues të aksionit për 15,000.00 euro, e i cili kurrë nuk ishte mbajtur, ndërsa tjetra për dizajnimin dhe vendosjen e 50 bilbordëve, për shumën 14,000.00 euro.

Mbështetur në dokumentet e ofruara nga Zyra e Kryeministrit, pasi të katër kontratat dhe faturat ishin përcjellë në këtë Zyrë, Qeveria kishte lëshuar 75,928.00 euro në konton e organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”.

Refuzimi për dëshmi

Luan Hasanaj, që e drejton organizatën, mohon të jetë falsifikuar diçka. Ai insiston se, shkaku që Qeveria nuk i lëshonte paratë pa ia prezantuar paraprakisht faturat, i është dashur të gjejë biznese që lëshojnë të tilla.

E, versioni që jep për të katër faturat është se ndërkohë ato ishin anuluar.

“Kurrë në jetë as unë e as kurrkush s’ka bërë kurrfarë falsifikimi”, thotë Hasanaj. “Ato fatura kanë qenë fillimisht në dosje, mandej zyrtarisht është njoftuar Qeveria që ridestinohen dhe tërhiqen”.

Por së paku njërës prej faturave që thotë të jetë anuluar, Hasanaj ia kishte bashkëngjitur edhe disa fotografi, si dëshmi se me shumën prej 14,000.00 eurosh, që figuronte në të ishin vendosur në terren bilborde.

Ai nuk ka mundur të shpjegojë se si ligjërisht ka siguruar e më pas prezantuar në Qeveri fatura për punë e shërbime që nuk janë realizuar.

E, organizata “Ta pastrojmë Kosovën” nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë nëse ishin të vërteta edhe faturat e tjera që ishin prezantuar në Zyrën e Kryeministrit për të arsyetuar shpenzimet, totali i të cilave është në vlerë rreth 700,000.00 euro.

Gjatë muajit maj, KOHA kërkoi qasje në dëshmitë e të gjitha pagesave të bëra nëpërmjet llogarisë bankare gjatë zbatimit të projektit “Ta Pastrojmë Kosovën”, për kohën sa projekti është mbështetur financiarisht nga Qeveria Haradinaj. Është kërkuar që dëshmitë të përmbajnë informacione të lexueshme mbi identitetin e secilit subjekt që i është kryer pagesa, shumën që i është dërguar secilit subjekt dhe kohën e saktë kur pagesa është bërë.

“Nesër e marrim aprovimin e bordit dhe sapo t’i kompletojmë, t’i dërgojmë të gjitha”, ka qenë përgjigjja që të njëjtën ditë është përcjellë nga e-maili zyrtar i organizatës.

Pavarësisht insistimit të mëvonshëm, të tilla dëshmi nuk janë vënë në dispozicion, për t’i krahasuar me kontratat dhe faturat që ndodhen në dosjen me të cilën organizata i ka arsyetuar shpenzimet në Zyrën e Kryeministrit.

Edhe shkelje procedurale

Edhe forma se si buxheti i është vënë në dispozicion organizatës, është në kundërshtim me procedurat.

Kabineti qeveritar me një vendim në fund të gushtit të 2018-s kishte themeluar një Task-Forcë për pastrimin e ambientit në Kosovë. Nëpërmjet saj synohej që në periudhën 15 shtator 2018 – 15 dhjetor 2018 të ndërmerreshin aksione pastrimi në të gjitha komunat, dhe të eliminoheshin afro 1,000 deponi ilegale.

Task-Forca përbëhej nga një përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit, nëntë ministra dhe përfaqësues të dy organizatave joqeveritare – “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe “Green Art Center”. Kjo e fundit drejtohet nga një i afërt i bashkëshortes së ish-kryeministrit Haradinaj.

E, ndonëse institucionet e dominonin Task-Forcën, Qeveria ishte përcaktuar që buxheti prej gati një milion eurosh i paraparë për zbatimin e planit të aktiviteteve, të administrohej nga organizata “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Ishte bërë kjo në kundërshtim me Rregulloren mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve. Ky dokument kërkon që çdo mbështetje financiare për OJQ-të duhet të shpallet me thirrje publike dhe për ta ofruar mbështetjen kërkohet konkurrueshmëri.

Madje, nuk kishte as kontratë në mes të Zyrës së Kryeministrit dhe organizatës, nëpërmjet së cilës do të përcaktoheshin përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve në realizimin e këtij projekti.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i kishte gjetur këto shkelje procedurale dhe kishte përfshirë në raport edhe faktin se “pagesat ishin kryer vetëm në bazë të faturave të dorëzuara nga ana e OJQ-së përfituese”.

Llupa e auditorit nuk ishte fokusuar edhe te vërtetësia e faturave. Megjithëkëtë, kishte dhënë rekomandimin se brenda një afati sa më të shpejtë të bëhej një analizë gjithëpërfshirëse e realizimit të projektit dhe të siguroheshin të gjitha raportet financiare dhe raportet e tjera të cilat do të konfirmonin se pagesat e kryera ishin të bazuara dhe të mbështetura me dëshmi.

Në raportin e vitit pasues, Auditori ka konstatuar se “Menaxhmenti ka ndërmarrë veprime për të siguruar raportet narrative dhe financiare (janë siguruar kontrata, faturat dhe dëshmitë për pagesat e bëra përmes llogarisë bankare”.

Kësisoj, dosja ishte “pastruar” nga dyshimet paraprake dhe faturat e rreme nuk ishin evidentuar.

Në fillim të majit, KOHA ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit për bazën ligjore rreth financimit të aksionit, e edhe për arsyet e mungesës së një mekanizmi verifikimi për zbatimin e aktiviteteve, për të cilat organizata “Ta pastrojmë Kosovën” ka ofruar fatura dhe Qeveria ka rimbursuar shumën që figuronte në to. Nuk ka dhënë një përgjigje, sikurse nuk ka treguar as nëse është në dijeni se një numër faturash me të cilat arsyetoheshin shpenzimet ishin false dhe se shpenzimet e aktiviteteve që arsyetoheshin me to, në fakt nuk ishin bërë.

Zyra e Kryeministrit të njëjtat pyetje i kishte përcjellë në Ministrinë e Mjedisit. Por bazuar në komunikimin mes Ministrisë dhe Zyrës së Kryeministrit i është gjuajtur kësaj të fundit përgjegjësia për të ofruar përgjigje në pyetjet që lidhen me kontratën dhe faturat.

E, mbështetur në dokumentet që i ka parë KOHA, diku 250 mijë euro që bëjnë sa rreth një e treta e buxhetit për aksionin e pastrimit të Kosovës, ka shkuar te një biznes me bazë në Prishtinë, që ishte themeluar vetëm një vit më parë. Mbi 150 mijë euro figurojnë blerje te faturat e një kompanie tjetër, pronari i së cilës ka miqësi me bashkëthemeluesin e një prej dy OJQ-ve të përfshira në projektin “Ta Pastrojmë Kosovën”. Një kompanie i ishin dhënë 33 mijë euro, për promovim fare të shkurtër të aksionit në një serial vendor.

Formula për kontrata pa tender

Asnjë kontrate nuk i kishte paraprirë një proces prokurimi.

Organizata kishte gjetur një “formulë” se si të shmangej kjo procedurë.

Image

Nëpërmjet një shkrese, Luan Hasanaj në emër të “Ta Pastrojmë Kosovën” kishte kërkuar nga Qeveria që mjetet e dedikuara për organizimin teknik të aksionit të pastrimit të Kosovës të realizoheshin përmes organizatës që e udhëhiqte dhe jo përmes Qeverisë. Kjo, për t’i ikur prokurimit.

“Duke e pasur parasysh numrin e madh të vijave buxhetore, si dhe kohën në të cilën duhet të realizohen, e në anën tjetër duke i ditur procedurat e prokurimit, pagesa e shpenzimeve të parapara do të krijonte problem në realizimin me kohë të aktiviteteve”, thuhej në shkresë.

Kërkesa ishte përcjellë në mbledhjen e 62-të të Qeverisë, në të cilën ishte shqyrtuar dhe miratuar plani i aktiviteteve me buxhet për aksionin e pastrimit të Kosovës, në vlerë 815,035.00 euro.

(Nesër: Te cilat kompani shkuan paratë e dedikuara për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”? Kush nga pronarët e kompanive ka lidhje me anëtarë të Task-Forcës dhe ish-kryeministrin? Çfarë mëditjesh u dhanë në emër të trajnimeve me paratë e dedikuara për këtë aksion?)