Zoran Vukotiq është dënuar sot me 10 vjet burgim për dhunimin e një gruaje gjatë luftës në Kosovë.
KOHA më 11 mars të vitit 2020 e kishte publikuar rrëfimin e viktimës në hetuesi.
Në majin e vitit 1999, forcat policore serbe kishin marrë gruan shqiptare N.N. (identiteti i panjohur) teksa mbante në dorën vajzën e saj 3-vjeçare. Ajo bashkë me familjarët dhe qytetarë të tjerë ishin dërguar para një shtëpie dykatëshe, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Aty do të dhunoheshin gratë e vajzat shqiptare, por që, sipas hetuesisë, vetëm njëra nga viktimat ka dëshmuar për rastin.
I akuzuar për dhunim, sipas aktakuzës së ngritur, është Zoran Vukotiq, ish-pjesëtar i policisë serbe me shërbim në njërën nga komunat e Kosovës. Aktakuza e përshkruan sesi i akuzuari Vukotiq ia kishte tërhequr vajzën që e mbijetuara e mbante për dore. Vajzën e vogël, sipas dëshmisë, ai e kishte rrëzuar në tokë, ndërsa viktimën e kishte tërhequr nga krahu i djathtë.
“O merrmni mu mos i merrni ato”, citohen fjalët e vjehrrës së viktimës.
Gruaja që është dhunuar ishte shtatzënë në muajin e tretë. Do t’i sillte në jetë dy djem. Si pasojë e dhunimit viktima disa muaj më pas ka abortuar.
“E dëmtuara në atë kohë ishte shtatzënë dhe nga e goditura humb vetëdijen. Në momentin kur ajo u përpoq të kthehet me trup anash, i pandehuri Zoran e godet të dëmtuarën me shqelm në shpinë, në pjesën e kurrizit, nga e cila goditje ajo humb vetëdijen”, përshkruhet në aktakuzën të cilën e ka “Koha”. “Pasi që viktima kishte qenë shtatzënë në muajin e tretë, si pasojë e këtij dhunimi, në muajin e shtatë të shtatzënisë kishte pësuar abort, ku i ka humbur dy foshnje – binjakë, të gjinisë mashkullore”, thuhet me tutje në dosjen akuzuese të dorëzuar ditë me parë në gjykatë.
Pas dhunimit, kjo grua nënë e dy vajzave kishte qëndruar disa orë pa vetëdije.
“Pasi i është kthyer vetëdija e ka parë veten në korridorin e katit të parë të asaj shtëpie, ishte terr dhe ajo në gjendje të rëndë”, thuhet në aktakuzë.
Në gjendje të dërrmuar kishte shkuar, sipas dëshmisë së viktimës, në shtëpinë e të afërmve të burrit. E shoqëruar nga motra dhe vjehrra më pas kishte shkuar në kontroll në spital.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, që ka ngritur këtë aktakuzë, ka intervistuar mjekun i cili e kishte trajtuar mbrëmjen e 21 majtit të vitit 1999.
Dëshmitari ka rrëfyer se në çfarë gjendjeje kishte ardhur kjo e mbijetuar.
“Ishte shumë e zbehur. Nuk ishte në gjendje me fol. Dhe kur i kishim hequr rrobat për ta kontrolluar kanë parë trupin e saj me gërvishtje, gjakosje, hematome dhe kafshim me dhëmbë në pjesën e gjokseve...”, përshkruhet nga dëshmitarët e spitalit, e që këto dëshmi janë të përfshira në aktakuzë.
Mjekja N.N. (emër i njohur për redaksinë) gjendjen e saj e ka konsideruar tronditëse.
“E dëmtuara kishte mavijosje, gjakosje, shqyerje në organet gjenitale, me fjalë të tjera ishte në gjendje tronditëse”, thuhet në aktakuzë.
Kur në qendrën mjekësore ka marrë veten, personeli e ka pyetur “se kush e kishte bërë në atë gjendje”.
“’Zorani”, është përgjigjur ajo, sipas përshkrimit në aktakuzë.
“Cili Zoran” e kishte pyetur mjeku,“Zoran Vukotiq”, ishte përgjigju ajo.
Të tjerë dëshmitarë kanë rrëfyer krime të tjera të luftës për të akuzuarin.
E dëshmitari N.N. (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se në një rast tjetër ky i akuzuar tytën e pushkës ia kishte futur në gojë një fëmije.
“Ata me vonë i kanë treguar qysh Zorani kur ka hyrë në shtëpi ka kërkuar para dhe ia ka futur tytën e pushkës automatike në gojë fëmiut të tyre i cili ishte duke fjetur”, përshkruhet në aktakuzë.
Në aktakuzë janë të përshkruara edhe veprime të tjera të Vukotiqit.
Kur është intervistuar nga Prokuroria ai ishte i shkurtër në atë çfarë kishte për të thënë.
“I pandehuri Zoran Vukotiq mohoi që e kishte dhunuar të dëmtuarën dhe nuk pranoi të komentojë më shumë lidhur me veprën penale që i vihet në barrë”, thuhet në aktakuzën që e ka gazeta.
Vukotiq këtë deklaratë e ka bërë në kohën kur është duke vuajtur dënimet për krimet që i ka kryer në kohën e luftës.
Gjykata Themelore e Mitrovicës e kishte gjetur dy vjet më parë fajtor serbin Zoran Vukotiq dhe kishte dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burgim për krime lufte kundër popullatës civile – paraburgosje të paligjshme, rrahje dhe trajtim jonjerëzor të të paraburgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë.
Në arsyetimin e trupit gjykues thuhet se Vukotiq ishte gjetur fajtor, sepse mes datave 2 maj deri në qershor të vitit 1999, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, duke vepruar si gardian burgu në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë, në mënyrë të qëllimshme dhe në bashkëveprim, derisa një numër i madh i shqiptarëve janë mbajtur në Mitrovicës kanë qenë të ekspozuar ndaj trajtimit johuman përmes rrahjeve, duke bërë shkelje të integritetit të shëndetit dhe shkaktimin e lëndimeve trupore.
Por Zoran Vukotiq u shpall i pafajshëm për krime lufte kundër popullatës civile në masakrën e Studimes.
Vukotiq është akuzuar për pjesëmarrje në këtë masakër si rezervist i policisë serbe, ku janë përfshirë akuza për vrasje, terror, plaçkitje dhe trajtim jonjerëzor.
Më 16 maj të vitit 2018, po kjo gjykatë e shpalli të pafajshëm Zoran Vukotiqin për rastin e vrasjes së katër civilëve shqiptarë në Vushtrri në vitin 1999.
Pos kësaj, mbi Vukotiqin rëndonte edhe akuza për trajtim çnjerëzor të mbi 20 civilëve në Vushtrri në maj të vitit 1999.