Arbëri

Krasniqi: Kërkesa e Osmanit për KQZ-në, për interesa të partisë në pushtet

Descriptive Text

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka thënë se Gjykata Kushtetuese s’ka pasur asnjë mundësi tjetër përveçse ta shpallte të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të premten, Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme kërkesën e Osmanit për interpretim të nocionit “grupi më i madh parlamentar” në kontekst të ndarjes së vendeve në KQZ për grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend. Osmani kishte kërkuar nga Kushtetuesja interpretim nëse vendet e lira në KQZ i takojnë vetëm grupit apo grupeve më të mëdha parlamentare. Ajo kërkoi sqarime pasi emëroi tetë anëtarë të KQZ-së, duke mos i emëruar dy të tjerë pasi Vetëvendosje, si grupi më i madh, propozoi tre, ndërsa PDK-ja si e dyta propozoi dy. Me vendim të Kushtetueses, VV-ja e PDK-ja, si dy grupet më të mëdha parlamentare i bie të kenë nga dy përfaqësues në KQZ.

Sipas Krasniqit, për këtë çështje ka qenë i qartë vendimi që do të marrë Kushtetuesja, duke shtuar se Osmani me këtë kërkesë ka vendosur ta komplikojë çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së “për interesat e partisë në pushtet”.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër, përveçse të shpallë të papranueshme kërkesën e Presidentes Osmani-Sadriu lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së. E para, se Gjykata Kushtetuese nuk është institucion këshillëdhënës, dhe e dyta, se kjo ka qenë çështje për të cilën Gjykata ka vendosur më parë. Se kujt i takon e drejta e emërimit të anëtarëve në KQZ, është një çështje e thjeshtë të cilën Presidentja ka vendosur ta komplikojë për interesat e partisë në pushtet. Me mos emërimin e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, Presidentja është duke iu mohuar të drejtën kushtetuese PDK-së dhe Koalicionit VAKAT për emërim të anëtarëve në KQZ”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Osmani u zgjodh presidente pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje dhe listës Guxo në zgjedhjet e muajit shkurt.