Arbëri

Memli Krasniqi pa kundërkandidat për kryetar të PDK-së

Në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetarin e ri, do të jetë vetëm Memli Krasniqi. Në Konventën që do të mbahet të shtunën, Krasniqi nuk do të ketë kundërkandidat.

Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kushdo ka pasur të drejtë që të garojë.

“Ka qenë garë e hapur dhe sigurisht pse e kemi vetëm një kandidat tregon se ka pasur një pajtim të heshtur të gjithë atyre që janë pajtuar t’ia japin përkrahjen Memli Krasniqit që ta udhëheqë PDK-në”.

Hamza ka thënë se nuk ka pasur ndikim që kandidatë të tjerë të mos e sfidojnë në garë Krasniqin nesër, por sipas tij kanë zgjedhur ta mbështesin vetëm këtë të fundit.

“Pjesa e madhe e jona, kemi përvojë të mjaftueshme politike dhe institucionale e jetësore që veprimet tona t’i marrim të pandikuara nga askush. Kushdo që ka vlerësuar se mund të jetë pjesë e garës ka mundur ta shfrytëzojë këtë të drejtë. Ka qenë e hapur, kushdo që ka dëshiruar gara ka qenë e hapur. Nëse dikush nuk e ka vlerësuar se duhet të jetë pjesë e garës, në një mënyrë wshtë pajtuar se do t’ia jep mbështetjen Memli Krasniqit”, ka thënë ai në konferencë për media.

Hamza ka folur edhe për zgjedhjet lokale e që tha se PDK-ja ka zyrtarizuar disa kandidatë e për disa të tjerë ende po mendon nëse janë adekuatë.