Arbëri

Arrestohet kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi, nën dyshimin për ryshfet

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën, kryeshefin e Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi, nën dyshimin për marrje ryshfeti.

"Dyshohet për veprën penale 'marrje e ryshfeti' në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B. Me këto veprime i dyshuari i potencuar dyshohet se kryer veprën penale 'marrje e ryshfetit' dhe veprën penale 'keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar', thuhet në përgjigjen e Policisë për KOHËN.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Latifi është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Personi me inicialet L.L., është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet. Më këto veprime personi i lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B., të arrestuar më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës, dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme. I dyshuari L.L., me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Latifi ishte emëruar kryeshef i KPM-së në gusht të vitit 2019.

Të mërkurën, është arrestuar edhe drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), Arben Bilalli, i cili është ndaluar po ashtu me dyshimin për marrje të ryshfetit.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ndaj tij, prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.​