Sulmet kibernetike dhe bashkëpunimi serbo-rus janë parë si elemente destabilizuese të rajonit në tryezën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Kosova nga pjesëmarrës në tryezë u kritikua për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, ndërsa dështimi i idesë për shkëmbime territoriale u vlerësua si hap pozitiv
Sulmet kibernetike dhe bashkëpunimi ushtarak mes Serbisë e Rusisë janë metoda që këto dy vende po përdorin për ta destabilizuar rajonin e me theks të veçantë Kosovën, është thënë në tryezën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Pjesëmarrës në këtë diskutim kërkuan që Kosova të mos bëhet pjesë e konflikteve ndërkombëtare.
“Ne jemi të ekspozuar ndaj kërcënimeve hibride siç janë sulmet kibernetike, fushatat dezinformuese dhe bashkëpunimi ushtarak midis Serbisë dhe Rusisë (baza Nish) me një qëllim të qartë për të destabilizuar të gjithë rajonin duke delegjitimuar besimin në proceset demokratike dhe institucione”, ka deklaruar zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi.
Ajo tutje ka shtuar se ideja për shkëmbim territorial me Serbinë ka qenë e dëmshme dhe se në Qeverinë e re ajo ide tashmë ka vdekur.
“Personat e zhdukur, dëmshpërblimet e luftës dhe njohja e krimeve dhe gjenocidit janë çështje që shkojnë përtej politikës, ato së pari janë humanitare dhe si të tilla duhet të adresohen në dialog”, ka thënë ajo.
Kundër shkëmbimit territorial ka folur edhe drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips. Ai shkëmbimin e territoreve e ka quajtur ide të Milosheviqit.
“Gjëja tjetër është që ne kemi harxhuar shumë kohë për ndryshime territoriale apo ndërrime territoriale. Kjo ka qenë një ide shumë e keqe që nga fillimi dhe akoma është ide e keqe dhe nuk dua të vazhdojë kjo ide. Projekti i Milosheviqit ka qenë për të krijuar një shtet të tillë dhe Serbia nuk duhet të jetë në gjendje që të arrijë për të krijuar në negociata në tavolinën e bisedimeve atë që nuk ka arritur të bëjë spastrimin etnik në kohë lufte”, ka thënë Philips.
Ndërsa njohësi i çështjes së Ballkanit, Sebastian Gricourt, ka thënë se Kosova duhet të ketë strategji më të mirë të politikës së jashtme. Ai ka shtuar se Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e konflikteve ndërkombëtare dhe se nuk është dashur që të nxitohet me hapjen e Ambasadës në Jerusalem.
“Ju mund ta ndërtoni një diplomaci më sovrane që është në gjendje të ketë qëndrime më specifike për problemet ndërkombëtare. Për shembull, pas një përgatitje të tillë unë besoj që Kosova nuk do ‘kapej në kurth’ që ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Por në vend të kësaj, në emër të historisë suaj, fatit të popullit tuaj, të cilët mund të identifikohen edhe me popullin e Izraelit dhe Palestinës, ju do të ishit në gjendje që të krijoni balancë dhe të fitoni më shumë kredibilitet”, ka deklaruar Gricourt, i cili është udhëheqës i qendrës ballkanike të fondacionit “Jean Jaures”, me qendër në Paris.
Duke folur për dialogun, Haki Abazi, deputet i Parlamentit të Kosovës, ka thënë se Serbia nuk ka ndërruar aspak në raport me Kosovën, por vetëm i ka ndryshuar mjetet që të arrijë qëllimet e saja.
Në këtë tryezë ishte paralajmëruar të merrte pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Shvartz, por për shkaqe shëndetësore ajo nuk ishte e pranishme.