2 perditesime
23:41

Hoxha: Nepotizmi është bërë normë, VV-ja po punëson familjarë në borde

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kritikuar Qeverinë Kurti 2 për nepotizëm.

Hoxha ka thënë se nepotizmi është bërë normë në Kosovë. Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Vetëvendosje derisa gjatë 15 vjetëve ka kritikuar duke demonizuar çdo të punësuar nga qeveritë e kaluara, tash po e bën të njëjtën gjë, por me ritëm edhe më të shpejt e në mënyrë më totale.

“Po shohim një proces që në emër të fjalës së famshme kapje e tash ç’kapje, po duan të bëjnë kapje totale. Nuk është e domosdoshme që secili ministër që vjen të nisë gjitha bordet nga zero. Ajo çfarë është e papranueshme është klima e nepotizmit e familjarizimit që është bërë normë. E shihni në çdo institucion punësohet mos të them çdo ditë, por çdo dy ditë, nipi, halla, tezja, motra, vëllai, burri i motrës a ku ta di. Çfarë dua të them është kjo, nëse për 15 vjet ke demonizuar çdo akter publik edhe të shoqërisë civile, pasi ju kujtohet se kushdo që ka hyrë në borde të caktuara është demonizuar edhe nëse nuk ka qenë partiak, e tash të bësh veprime të njëjta, madje edhe veprime që janë kritikuar zakonisht edhe nga qeveritë të kaluara, atëherë për çfarë ndryshime po flasim. Unë besoj në rotacion, besoj që rotacioni i pushteteve duhet të sjellë cilësi e mendësi ndryshe, për këtë e ka marrë besimin z. Kurti. E ka besimin dhe e ka mundësinë e ka shumicën e numrave të votave në Kuvend, e ka të drejtën të bëjë këtë, e nuk mund ta ndalojmë. Por, duhet të ketë një pikë etike, që t’u qëndrosh fjalëve të tua pas, e duhet të kesh një fisnikëri si person e mendësi qeverisëse, që nëse ke kritikuar çdo akter për 15 vjet tash të bësh të njëjtën por në një format shumë më të madh, është e çuditshme për mua”, ka thënë Hoxha.

23:34

Deputetja e PDK-së: Prioritetet e Qeverisë janë të çuditshme, programi 4-vjeçar i vakët

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se programi i Qeverisë nuk ka pasur të përfshirë prioritetet të cilat Qeveria Kurti 1 i pati prezantuar në programin e saj vitin e kaluar.

Ndërsa, prioritetet e Qeverisë, Hoxha i sheh si të “çuditshme”.

“Ajo çka është premtuar gjatë fushatës nuk e kemi parë në ekspozenë e programit, ka qenë befasuese. Befasuese se brenda një viti kalendarik premtimet edhe të zgjedhjeve të kaluara dhe programit të qeverisë Kurti 1 nuk kanë qenë të përfshira tash. Nuk e di çka ka ndryshuar për të pasur ndryshime kaq të mëdha. Programi ka qenë shumë i vakët për një qeverisje katër vjeçare, nuk dua të paragjykoj por edhe prioritetet janë të çuditshme. E keni parë si ka nisur seanca, para seancës për zgjedhjen e presidentes, ka ardhur ideja për rishqyrtim të ligjit për zgjedhje, gjëra që janë bërë aty për aty dhe nuk kanë pasur emergjencë”, ka thënë ajo.

23:13

Hoxha: Në Kryesinë e PDK-së nuk është diskutuar për emrin e liderit të partisë

Partia Demokratike e Kosovës më 3 korrik do të mbajë Konventën ku do të zgjedhë kryetarin e ri të partisë. Por, deri tash Kryesia e saj nuk ka diskutuar për emrat që do t'i hyjnë garës, ka thënë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Në Interaktiv të KTV-së, Hoxha ka thënë se zhvillimet politike kanë krijuar momentumin e nevojshëm për PDK-ja të ballafaqohet me situatë të brendshme dhe klimë tjetër të politikbërjes.

“Nuk kemi diskutuar për asnjë emër. Janë përfolur për muaj emra, por unë si anëtarë asnjëherë nuk është diskutuar për asnjë person. Gjithsesi, besoj se, z. Hoxhajt i është dhënë besimi (të hyjë në garë për kryetar). Asnjëherë në Kryesi nuk është diskutuar për emra”, ka thënë ajo.

Ajo ka insistuar që për asnjë nga emrat e përfolur se mund të jenë kandidatë, nuk është diskutuar në Kryesi, përfshirë Bedri Hamzën dhe Vlora Çitakun.