Arbëri

KMDLNJ-ja bën thirrje që të lejohet të dëshmojë ish-gjykatësi i EULEX-it, Simmons

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka vlerësuar se tentimi për t’ia pamundësuar ish-kryetarit i gjykatësve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons të dëshmojë para institucioneve të Kosovës, është përpjekje për ta fshehur të vërtetën ndaj qytetarëve të Kosovës.

KMDLNJ në një reagim thekson se qytetarët kanë të drejtë të informohen për atë që po ndodhë në Kosovë dhe ku nuk kanë qasje, sikur që janë misionet ndërkombëtare në ndërkohë që e drejta për informim është e drejtë elementare e njeriut.

KMDLNJ është e sigurt se kjo dëshmi para Komisionit për Legjislacion e kërkuar nga Simons nuk prodhon asnjë efekt apo pasojë juridike përveç se do ta bënte publik angazhimin e pandershëm dhe të kriminalizuar të disa hetuesve , prokurorëve dhe gjykatësve të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe të cilët, po këtë aktivitet mund ta vazhdojnë në Zyrën dhe Dhomat e Specializuara në Hagë për faktin se janë rekrutuar pas shërbimit në Kosovë.

“Me ndërrimin e pushtetit dhe përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, insistimi i Malcolm Simmonsit për të dëshmuar vetëm sa u shtua në ndërkohë që reagimi institucional nuk dukej e as që duket në horizont. Malcom Simmons, si pjesë e një organizimi të BE–së në Kosovë e që quhet Mision për Sundim të Ligjit – EULEX , madje thuaja në krye të piramidës udhëheqëse, nuk është person pa informata, që nuk e ka të qartë peshën e provës apo faktit, por edhe peshën e përgjegjësisë nëse nuk e flet të vërtetën duket sa ka shumë për t’i thënë Komisionit Parlamentar për Legjislacion e përmes tyre edhe qytetarëve të Kosovës, e vërtetë për të cilën EULEX–i po hesht sikur edhe institucionet tona. Pse po heshtë EULEX–i është plotësisht e kuptueshme, pse po heshtin institucionet e Kosovës nuk ka ndonjë logjikë sidomos pas pohimeve të Malcolm Simmonsit se këto misione ndërkombëtare në Kosovë i kanë dorëzuar Serbisë dosje për krime lufte që kanë për pasojë edhe arrestimin nga Dhomat e Prokurorit të Specializuar të ish-kreut të UÇK-së dhe ish–kreut politikë të Kosovës e që mbahen të arrestuar në Burgun e Hagës. KMDLNj e ka krejtësisht të qartë se misionet ndërkombëtare gëzojnë imunitet nga ndjekja penale prandaj edhe sillen në mënyrë shpërfillëse ndaj ligjeve të vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Këto misione nuk i japin asnjë llogari udhëheqësve të Kosovës, madje, për më keq, kur të duan mund të arrestojnë edhe udhëheqësit më të lartë të vendit siç ishte rasti i arrestimit të presidentit Hashim Thaçi, kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, shefit të GP të LVV, Rexhep Selimi, drejtuesve të OVL së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, eprorëve të UÇK-së, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala dhe cilindo që duan. Të prisni që këta të hetohen nga një Komision Parlamentar i Kosovës apo Prokurori e Kosovës, është skajshmërisht e pamundur dhe joserioze”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.