Arbëri

Infermierët të shokuar për shkëputjen e kontratave, presin që të ndërrohet vendimi

Arlinda Mustafa, infermiere e punësuar përmes projektit të Bankës Botërore për situatën emergjente me pandeminë, e ka cilësuar të padrejtë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë që të mos u vazhdohet kontrata infermierëve të punësuar në vitin e shkuar. Ndërkaq, shokues këtë vendim e ka cilësuar edhe Fitim Havolli nga Sindikata e Infermierëve. Ata kanë shprehur shpresën se pas pak ditësh MSH-ja do të ndërrojë mendje dhe do t’ua vazhdojë kontratat.

“Kontratën e kam nënshkruar me MSH-në më 21 tetor 2020, tash 8 muaj. Kontrata e parë ishte për tre muaj me mundësi vazhdimi. Pastaj kemi nënshkruar edhe për pesë muaj, që skadon ditën e hënë. Dje kemi marrë njoftimin përmes e-mailit për shkëputje pasi ministria s’ka mjete. Kërkesa për punësim ka pasur vazhdimisht, kanë qenë tri konkurse. Një grup ka nisur më 12 korrik. Ne kemi nisur më 21 tetor, dhe një grup në dhjetor. Unë jam punësuar në Vushtrri. Projekt emergjent në kuadër të Bankës Botërore si ndihmesë. Jemi të lumtur që kemi ndihmuar, por jo të lumtur që po ndërpritet në këtë mënyrë. Gjithmonë na është cekur se ekziston mundësia e vazhdimit. Duke marrë parasysh se ka nevojë për këtë komunitet, më mirë do të ishte të vazhdojmë ne se të hapen konkurse të reja e të pranohen të tjerë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së të premten.

E Havolli ka shtuar se edhe para pandemisë, spitalet në Kosovë kanë pasur mungesë të madhe të infermierëve.

“Ishte vendim shokues. Meqenëse kam qenë udhëheqës i sindikatës, kemi kërkuar edhe para pandemisë, duke marrë parasysh mungesën e madhe të infermierëve, por ja që erdhi pandemia e në formë emergjente u desh për shkak të kaosit të shkaktuar nga pandemia. Kemi nevojë shumë për infermierë. Një infermierë ka kujdestaruar me 24 pacientë. Jashtë çdo rregulli. Paramendojeni në gjendje të tillë vjen një njoftim i tillë, por pres deri të hënën reagim shumë serioz nga ministri. S’kemi marrë, por kemi bërë thirrje që të marrin seriozisht këtë punë. Kontratat i kanë marrë me vetëdije, por besoj që institucionet duhet të jenë më serioze që në vend të dëmit që kanë bërë kanë mundur t’i shpërblejnë për mundin dhe rrezikun që kanë ndërmarrë”, ka thënë ai.

Mustafa në anën tjetër ka thënë se të hënën do të kërkohet takim me ministrin Arben Vitia, e më pas do të vazhdohet “varësisht si reagojnë ata”.