Arbëri

Bordi i RTK-së në mbledhje të jashtëzakonshme

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës është mbledhur në një mbledhje të jashtëzakonshme të premten në mbrëmje, ka mësuar KOHA.

Mbledhja vjen në të njëjtën ditë kur zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Mentor Shala, fyeu deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kica-Xhelili, pasi kjo në Interaktiv të KTV-së të enjten deklaroi se RTK-ja ka ndërprerë transmetimin direkt të një komisioni parlamentar kur në të është përmendur emri i Shalës.

Si kundërpërgjigje, Shala shpërtheu me fyerje, duke nxitur reagim të deputetëve e të shoqërisë civile.

Në reagimin e tij, Shala u shpreh se Kica-Xhelili ka dëshirë t’ia përmendë emrin e se “e ka mendjen vetëm tek ai”. “A e caktojmë një takim Doarsë, për drekë a për darkë a? Që donë i thërrasim edhe ato mikeshat e tua në RTK! Kënaqemi edhe të tregoj për krejt RTK-në, edhe nime e kupton çka është RTK-ja. E miqtë e RTK-së?! Jo valla s’po i thërrasim”, ka shkruar Shala në Facebook.

Vetëm dy ditë më herët, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit inicimin e procedurave për shkarkimin e këtij bordi.