3 perditesime
23:56

Tërmkolli thotë se profiterë “si Osmani e disa të tjerë” e dëmtuan LDK-në

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se vendit i duhet një LDK e fortë dhe moderne por me bazament rugovian, por që një të tillë nuk e sheh të jetë aktual.

Tërmkolli në Interaktiv të KTV-së është përgjigjur se nuk e di se a mund ta bëjë një LDK të tillë kryetari Lumir Abdixhiku, pasi sipas saj, “Abdixhiku duhet të tregojë së pari kush është”.

Ajo ka thënë se udhëheqësia e LDK-së ka larguar shumë njerëz të cilët kanë punuar shumë për të dhe kanë qenë të përkushtuar. Duke përmendur edhe veten në mesin e këtyre të larguarve nga partia, Tërmkolli ka thënë se të tillët edhe janë ndaluar e janë lënë të vuajnë për bukë.

Largimin e tash presidentes Vjosa Osmanit, ajo nuk e ka quajtur të tillë. Tha se ajo nuk u largua.

“Nuk është larguar Osmani. Është bërë fushatë pak mediale, asi largimi kisha me ja uru gjithkujt, me bë kryetare të Kuvendit, kandidate për presidente, do ia uroja gjithkujt këtë largim. Ata që janë larguar, janë larguar dhe janë ndaluar ashtu si unë, dhe janë lënë të vuajnë edhe për bukë. Ata njerëz që me përkushtimin e jetës së vetë, që e kanë bë këtë shtet përmes LDK-së. Janë më mijëra njerëz të përkushtuar, por në pozicione politike vijnë ata që as ide nuk kanë kush është LDK-ja, çka do të thotë LDK-ja, cili është misioni i saj”.

Tërmkolli tutje ka shtuar se në LDK janë marrë njerëz që nuk e dijnë se çfarë kuptimi ka partia dhe se e shfrytëzojnë për të përfituar e më pas largohen, thotë ajo, ashtu “si Osmani”.

“Disa kritikojnë pse nuk po hapet LDK-ja. LDK-ja gjithmonë ka qenë e hapur, ka pasur freskim të të gjithë mekanizmave. Por, nuk mund të thuash nuk po hapesh ndaj njerëzve që nuk kanë ide çka është LDK-ja dhe e katapulton e bën kryetar të LDK-së njerëz që s’janë kurrë LDK, s’e dinë çka është LDK-ja. Pastaj vijmë në situatën kur LDK-ja vjen në 12 për qind. Sepse ata që nuk e dinë çka është LDK-ja, nuk e ndjejnë, nuk iu dhemb edhe me e fshi të gjithën, nuk e kanë fort problem, janë profiterë që hyjnë, marrin, përfitojnë, shkatërrojnë dhe shkojnë, si edhe zonja Osmani, si disa të tjerë”, ka përfunduar Tërmkolli.

23:32

Tërmkolli: Opozita nuk ka asnjë ide për zgjidhjen e dialogut

Ish-zyrtarja e lartë e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se opozita në Kosovë nuk ka asnjë ide për zgjidhjen e dialogut dhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

Tërmkolli ka thënë madje se opozita nuk është e interesuar që të marrë pjesë në këtë proces, duke pritur siç ka thënë ajo, me padurim që Albin Kurti të gabojë.

“As opozita nuk ka asnjë ide se cila është zgjidhja, se kah duhet të shkohet. Nuk është zgjidhja të ofrohet një platformë. Opozita duhet ta thotë, nuk mjafton vetëm të thuhet ne duam njohje, problemi është se cila është rruga, cila është mënyra dhe si ta sigurojmë atë njohje. Ne nuk kemi qëndrime të përbashkëta as për çështje të Asociacionit. Opozita nuk është e interesuar që të marrë pjesë në procesin e dialogut. Rasti më i rëndë është siç thotë populli: rri në një këmbë duke pritur se mos po gabon Albini. Nëse gabon Albini, gabon Kosova, nuk i bën nder askujt që të pritet që ai të gabojë”, ka thënë Tërmkolli.

23:30

Tërmkolli: Serbia po kërkon edhe Asociacionin edhe ndarjen e Kosovës

Ish-zyrtarja e lartë e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit të SHBA-së, Philip Kosnett, se Asociacioni është detyrim i Kosovës.

Tërmkolli në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Asociacioni është marrëveshje shumë e dëmshme. Ajo ka thënë se krejt çka po ndodh me Asociacionin është krejt çka kërkon Serbia. Ajo po do tri elemente esenciale, Asociacion me autonomi, ndarje dhe eksterritorialitet.

Ajo ka thënë se opozita nuk duhet të shfrytëzojë këtë arsye tash e t’i thotë kryeministrit Albin Kurti se po e kritikon ambasadori amerikan.

“Do të duhej thënë po i nderuar ambasador do të përpiqemi të bëjmë zgjidhje në suaza që është brenda Kushtetutës sonë. Ka qenë moment i rëndësishëm t’i thuhet ambasadorit Kosnett, por edhe emisarit Miroslav Lajçak. E dini se ka dal një dokument në të cilën nuk është vetëm ky Asociacion, por shkon edhe përtej kësaj. Shkon në kompetenca që nënkupton autonomi. Krejt çka po ndodh me Asociacionin është krejt çka po do Serbia. Ajo çka don Serbia, po don me plotësu tri elemente esenciale, Asociacionin, ndarjen dhe eksterritorialitet. Dhe nëse Kosova është e gatshme të pranojë diçka të tillë, atëherë nuk kemi se çfarë të diskutojmë më. Ky vend është totalisht jofunksional. Edhe ashtu si jemi me votim të dyfishtë të deputetëve të komunitetit serb dhe minoriteteve e kemi shtetin shumë jofunksional”, ka thënë Tërmkolli. “Edhe me gjendjen në veri po ashtu. Ajo gjendje në veri është trumbetu se tash do të hapet ura se kemi arritur marrëveshje. Këto në njëfarë mënyre Bashkimi Evropian ka favorizuar Serbinë jashtëzakonshëm shumë. Krejt çka është arritur në këto shtatë vjet është se Serbia e ka fitu statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE”.

23:07

Tërmkolli: Kurti, kryeministri më i denjë deri tani në bisedime

Ish-zyrtarja e lartë e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se fillimi i kryeministrit Kurti në bisedimet me Serbinë, është jashtëzakonisht i mirë.

Tërmkolli ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se ky është përfaqësimi më dinjitoz i Kosovës në dialog që kur ka nisur ky proces në vitin 2011.

“Kjo e bënë kryeministrin më të denjë deri tani në këto bisedime që janë mbajt nga viti 2011 e tutje. Ajo çka është treguar në këtë takim ka dy-tri oponenta: e para ka të bëjë me faktin që definitivisht për herë të parë nuk është Serbia ajo që i cakton temat pasi delegacioni i Kosovës ka shkuar pas asaj që ka caktuar Serbia. Në fakt, Serbia e ka caktuar agjendën dhe nuk kemi parë asnjëherë që Kosova ta imponojë një temë. E dyta, ndonëse nuk janë e tëra ato që janë parashtruar nga Kurti, mendoj që me këto propozime, për herë të parë pas shumë viteve, nuk shtrohet çështja gjatë bisedimeve e rregullimit të brendshëm të Kosovës, këto katër pika definitivisht e kanë zhvendosur çështjen e bisedimeve jo për Kosovën por me Kosovën”, ka thënë Tërmkolli.

Sipas saj, koncepti i bisedimeve me kryeministrin Kurti në krye, është më ndryshe, i cili siç ka thënë, nënkupton një dinjitet dhe një pozicion më të fuqishëm të Kosovës në raport me Serbinë.


Tërmkolli: Është humbur kohë e çmuar prej 2011-s në bisedimet me Serbinë

Ish-zyrtarja e lartë e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka thënë se të gjithë ata që kanë udhëhequr palën kosovare në bisedimet me Serbinë prej vitit 2011, i kanë humbur kohë vendit.

“Gjithë ato bisedime që janë zhvilluar, gjithë ajo kohë që është humbur, është humbur kohë tepër e madhe, e çmuar, duke filluar jo me bisedime teknike, dolën politike derisa hynë në çështje shumë esenciale të kontestimit madje edhe të pavarësisë së Kosovës, përfshirë fusnotën e asociacionin”, ka thënë ajo.

Tërmkolli ka përfshirë të gjithë negocuesit nga pala kosovare që kanë marrë pjesë në procesin e dialogut që prej fillimit, pa përjashtuar edhe Skender Hysenin e LDK-së vitin e kaluar i cili udhëhoqi ekipin negocues në dialog.

Sipas saj, ata që ishin pjesë e bisedimeve me palën serbe deri tash, “të mos kritikojnë” pasi shtoi se “i kanë bërë dëme tepër të mëdha vendit”.

Ajo ka thënë se nuk mund të akuzohet kryeministri Albin Kurti që me takimin e parë që ka zhvilluar në Bruksel për dialogun.