Arbëri

Kërkohet formulë e përbashkët e trajtimit të pakicave në shtetet e Ballkanit Perëndimor

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Reciprociteti në trajtimin e pakicave, që kryeministri Albin Kurti ia kërkoi Serbisë në Bruksel, u refuzua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Kjo gjë, sipas Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, është haptazi tregues i injorimit të kërkesave për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Kurse, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se është e rëndësishme që të ketë një qasje të dakorduar rajonale për trajtimin e komuniteteve pakicë

Reciprocitetin ekonomik nuk ia vendosi Serbisë ashtu siç premtoi. Tash, kryeministri Albin Kurti është duke kërkuar një tjetër reciprocitet me Serbinë, atë për trajtimin e pakicave. Por, propozimi për formimin e një këshilli kombëtar për serbët në Kosovë nuk iu pranua Kurtit në takimin e tij të parë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Në Serbi ka 11 vjet që funksion një këshill i tillë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ky institucion, që nuk ka pushtet ekzekutiv, synon mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe përdorimit të shkrimit të gjuhës shqipe.

Por, udhëheqësi i këtij këshilli, Ragmi Mustafi, thotë se pushteti serb e di që përmes këtij këshilli nuk avancohen të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

“Nëse presidenti Vuçiq do të konsideronte që është avancim i pozitës së pakicave, përkatësisht të shqiptarëve në Luginë përmes këshillave kombëtarë, atëherë pse ai do të refuzonte një gjë të tillë të njëjtën për serbët në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Andaj, e vetmja mënyrë për ta definuar statusin juridik dhe politik të shqiptarëve të Serbisë, sipas Mustafit, është përfshirja e kërkesave të Luginës në tavolinën e diskutimeve në Bruksel.

Një këshill i ngjashëm funksionon edhe në Mal të Zi e Kroaci, por profesori i Shkencave Politike, Arben Hajrullahu, vlerëson se shtetet e rajonit duhet ta trajtojnë çështjen e pakicave në mënyrë të përbashkët.

“Me rëndësi është që të ketë një qasje të dakorduar rajonale për trajtimin e çështjeve të komuniteteve pakicë. Pra, kjo është edhe më e rrugës sesa të kërkohet prej secilit shtet veç e veç që t’i rregullojë këto çështje”, thekson Hajrullahu.

Profesori Hajrullahu e sheh reciprocitetin si parim të shëndoshë, përmes të cilit, sipas tij, mund të tejkalohet konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një paqe afatgjatë.

“Për Kosovën është shumë e rëndësishme të evitohen përgjithmonë politika, strategjia e Serbisë e aplikuar ndaj Kosovës, që njihet si 'diplomaci e sallamit', pra secilën herë duke kërkuar nga një pjesëz, nga një pjesëz, përderisa atëherë totali i këtyre pjesëve e rrezikon funksionimin normal të një shteti të pavarur dhe sovran të Kosovës”, shton profesori Hajrullahu.

Propozimi që serbët e Kosovës të kenë një këshill në Kosovë, siç e kanë shqiptarët në Serbi, ishte njëri nga katër propozimet që të martën kryeministri Kurti i bëri në takimin e parë në Bruksel me presidentin serb Vuçiq.