Arbëri

Cakolli: Shkarkimi i Dakës, mesazh kërcënimi për anëtarët e tjerë të KQZ-së

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se sot ka qenë dita kur ka marrë formë shkarkimi i Valdete Dakës nga pozita e kryesueses së KQZ-së, ndonëse sipas tij, për disa javë ka qarkulluar si opsion.

Ai ka thënë se kjo flet për tendencën politike nga i cili është marrë një vendim i tillë, duke shtuar se mund të shihet edhe si kërcënim ndaj anëtarëve dhe kryetarit të ri të KQZ-së.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nëse do të kishte bazë për këtë vendim, atëherë nuk do duhej pritur deri tash.

“Ne e kontestojmë edhe arsyetimin që është dhënë. Arsyetimi si i tillë është politik dhe shumica e çështjeve të adresuara nuk qëndrojnë dhe janë keqinterpretim i situatave. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me mos njohuri e në skenarin më të keq kemi të bëjmë me motiv politik”, ka thënë ai.

Cakolli ka thënë se një vendim i tillë i marrë një apo dy ditë të zgjedhjeve lokale përçon mesazh edhe tek anëtarët e KQZ që një fat i tillë mund ta pres këdo.

“Kjo përçon mesazh edhe te anëtarët e KQZ-së edhe kryetarin e ri që një fat i tillë mund ta pres këdo që nuk vepron në frymën e disponimit të shumicës në KQZ”, ka thënë ai.