Arbëri

Lugina e Preshevës e lënë anash nga qeveritë, as tash nuk është në plan – vlerësojnë analistët

(Ekonomia Online) - Presheva, Bujanovci dhe Medvegja nuk janë në agjendën e prioriteteve të Qeverisë Kurti, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, ndërsa kërkohet që të përfshihen në dialogun me Serbinë.

Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, tha se përderisa Lugina e Preshevës nuk përfshihet në dialogun Kosovë-Serbia, gjendja në këtë pjesë nuk do të përmirësohet.

“Për fakt këtë Qeveri është pak herët të flitet në këtë drejtim pasi ka pak ditë, por në përgjithësi Qeveritë e Kosovës nuk janë kujdesur ashtu siç duhet për shqiptarët në Preshevë, Bujanovcit dhe Medvegjës, ndërsa ato jetojnë në kushte shumë të rënda dhe shumë të vështira”.

“Mendoj që asnjë hap nuk është i mundshëm nëse nuk merret hap kryesor, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci duhet të jenë pjesë e dialogut dhe pjesë e zgjidhjes së problemit vetëm kështu do t’i hapim rrugë t’i ndihmojmë pastaj në të gjitha drejtimet, çdo gjë që tentojmë tani duke i lënë anash në dialog në zgjidhjen e problemit ne do ta kemi shumë të vështirë pasi ata vazhdimisht për shkak të presionit serb për shkak të shtypjes së vazhdueshme por edhe për shkaqe ekonomike shpërngulen dhe ikin në Kosovë”, u shpreh ai.

Ndërsa, politologu Shkodran Ramadani, vlerëson se Lugina e Preshevës nuk është në planet e Qeverisë.

“Duket që tani më Lugina e Preshevës nuk është më pjesë e planeve të kësaj Qeverie as asaj të kaluarës, pas afër dy viteve kur Lugina e Preshevës ishte një temë e nxehtë në politikën e Kosovës, konkretisht në çështjen e dialogut me Serbinë, ku përflitej për një shkëmbim territoresh, ku përflitej që Lugina e Preshevës të bashkohej potencialisht me Kosovën, dhe kjo i bëri ata palë për herë të parë pas shumë vitesh të dialogut, ku kishte edhe takime të shpeshta edhe me krerët e Luginës së Preshevës, dhe tani pasi ideja e shkëmbimit të territoreve duket që nuk është më në tavolinën e bisedimeve me largimin e kësaj teme është mbyllur edhe dritarja e luginës së Preshevës dhe përpjekjet e saja për t’u bërë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”.

Ramnadani ka thënë se Lugina nuk do të jetë lartë në agjendën e prioriteteve të Qeverisë Kurti, kjo sipas tij, sepse tani “roli BE-së është shumë i madh se që ka qenë në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçit, e dihet që BE-ja në krye me Gjermaninë kanë qenë strikt sa i përket ndryshimit potencial të kufijve, kështu që me këtë besoj që Lugina nuk do të ketë rol shumë të madh në fazën e dialogut që po hynë Kosova”.

Në anën tjetër, analisti Fitim Salihu tha se asnjëherë nuk është bërë sa duhet për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin.

Salihu shtoi se kërkesat e Luginës së Preshevës duhet të parashtrohen në mënyrë të parevokueshme në tryezën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jo vetëm kjo Qeveri por secila kurrë nuk është shumë për t’u angazhuar për Luginën e Preshevës dhe vlerësoj që kurrë nuk është bërë sa duhet me Luginën e Preshevës, fatkeqësisht edhe me këtë Qeveri nuk po shohim që po bëhet aq sa Lugina e Preshevës meriton duke pas parasysh që një është një pjesë e kombit që kanë mbetur jetimë matanë kufirit”, tha ai.

Salihu kërkoi që kërkesat e shqiptarëve të Luginës të jenë prezent në Buksel.

“Besoj që shqiptarët e Luginës kanë nevojë për dorën e Prishtinës që në të gjitha format e ndryshme jo vetëm politikisht por edhe në forma që e lehtësojnë jetën e tyre atje, si ne arsim, në sport, atyre t’u ndihmohet dhe t’u largohet presioni ndaj tyre për ta braktisur Luginën”, tha ai.