Arbëri

Federici: Prania e KFOR-it nuk është e kushtëzuar nga afatet kohore

Gjendja e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme dhe nuk ka indikacione se mund të ndryshojë, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici, në intervistën për emisionin DESKU në KTV. Në përvjetorin e 22-të të hyrjes së misionit paqeruajtës në Kosovë, Federici ka folur për përgjegjësitë e tij, për bashkëpunimin me institucionet dhe qytetarët e të gjitha komuniteteve, për situatën në veri, kompetencat e FSK-së e për rastin e Manastirit të Deçanit, i vetmi objekt fetar që sigurohet nga pjesëtarët e KFOR-it. Ai ka treguar edhe për bashkëpunimin e misionit ndërkombëtar me ushtrinë e Serbisë dhe për patrullimet e përbashkëta përgjatë vijës kufitare.

“Këto aktivitete parashihen në Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake apo Marrëveshjen e Kumanovës. Ka trup të dedikuar në selinë e KFOR-it, që është Këshilli i Përbashkët Zbatues që merret rregullisht me palën serbe, por objektivi apo qëllimi kryesor është stabiliteti përgjatë vijës administrative kufitare. Duhet të them se bashkëpunimi me forcat serbe është mjaft i mirë tani për tani”, ka sqaruar Federici.

KOHA: Gjeneral, mirëserdhët në emisionin tonë!

Federici: Faleminderit dhe mirëmbrëma!

KOHA: Do të flasim me rastin e 22-vjetorit të hyrjes së KFOR-it në Kosovë. Çfarë do të na thoshit nga kjo perspektivë? Sa ishte e rëndësishme dhe çfarë kuptimi kishte për NATO-n, misionin tuaj dhe për këtë shtet ky moment i qershorit 1999?

Federici: Fillimisht më lejoni t’ju falënderoj për këtë mundësi që të jem këtu dhe të tregoj për historinë e KFOR-it dhe situatën aktuale. Sa i përket këtij përvjetori, është operacioni më jetëgjatë i NATO-s dhe ne besojmë se si i tillë është shumë i suksesshëm. KFOR-i hyri në Kosovë në qershor të vitit 1999, me afërsisht 55.000 ushtarë (anëtarë dhe partnerë të NATO-s) për ta mbështetur Kosovën. Me mbërritjen e trupave në Kosovë, jam i bindur fuqishëm se për Kosovën filloi një periudhë e re paqeje e stabiliteti. Trupat e KFOR-it hynë në Kosovë pas nënshkrimit të së ashtuquajturës “Marrëveshje e Kumanovës” bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, që është edhe mandati aktual, përmes të cilit KFOR-i vazhdon ta përmbushë misionin e tij.

KOHA: E kujtojmë, disa prej nesh të paktën, ne që jemi më të moshuar, me KFOR-in shënohet hera e parë në historinë tonë që një ushtri e huaj u prit si çlirimtare. Po ju, si ndiheni sot si lider i këtij misioni? A e shihni ende atë humor pozitiv te njerëzit, te shoqëria?

Federici: Absolutisht po! Më lejoni t’ju them se çdoherë që takoj njerëz në Kosovë, pavarësisht etnisë së tyre, jo vetëm unë, por edhe ushtarët e mi, kur takojnë njerëz, të gjithë i janë shumë falënderues KFOR-it, jo vetëm për çfarë kemi bërë në të kaluarën, më 1999, por edhe për atë që po e bëjmë sot. Pra, ndjenja që e kam kur dal e shkoj në vende të ndryshme, sepse më pëlqen shumë të kem ndërveprim me njerëz normalë, është ndjenjë e një atmosfere shumë të mirë e shumë të ngrohtë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne.

Misioni i pandryshuar që nga viti 1999

KOHA: Gjeneral, një prej pyetjeve është, e dimë që sot situata është shumë më e qetë, por kur hyri KFOR-i ishte fundi i luftës, fundi i fushatës së bombardimeve, por edhe luftës në terren ndërmjet forcave serbe dhe UÇK-së, pra ishte ende situatë e pasluftës. Si ka ndryshuar misioni ndër vite për ta reflektuar faktin se situata ka ndryshuar? Nuk jemi në situatën e pasluftës, pra cili është dallimi ndërmjet misionit të sotëm të KFOR-it dhe misionit të KFOR-it kur i kishte 55.000 trupa?

Federici: Misioni i KFOR-it nuk ka ndryshuar që nga 1999. Më lejoni t’ju rikujtoj se misioni derivon direkt nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mandati që e ka KFOR-i është që të kontribuojë në ambient të qetë dhe të sigurt, dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Kjo është ajo që po e bëjmë tani. Sigurisht që në fillim KFOR-i e kishte fuqinë e 55.000 ushtarëve, por gjatë këtyre 22 vjetëve situata në terren ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Sot është shumë më mirë sesa më 1999. Kjo është arsyeja pse NATO-ja ishte e aftë ta përshtaste strukturën e KFOR-it, por jo edhe misionin me situatën ne terren, me këtë situatë të cilën mund ta vlerësojmë si të mirë e stabile.

KOHA: Gjeneral, në ndërkohë kemi pasur zhvillime politike të shumta gjatë këtyre 22 vjetëve. Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 2008. Jemi anëtarësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare, shumica e shteteve të botës perëndimore e kanë njohur Kosovën, duke e përfshirë edhe Italinë. A ka efekt kjo në misionin tuaj?

Federici: Jo, aspak. Më lejoni ta ritheksoj se misioni ynë është i pandryshuar që nga 1999, dhe ajo që është e rëndësishme për KFOR-in është e mira e komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe kjo është e pavarur nga zhvillimet politike.

KOHA: Si do t’i përshkruanit situatën aktuale, gjendjen e komuniteteve dhe situatën e sigurisë në të gjithë shtetin?

Federici: Mund të vlerësoj se sot gjendja aktuale është e mirë në kuptimin e sigurisë dhe se, tash për tash, nuk kemi indikacione që situata do të ndryshojë. Pra, po vazhdojmë ta vëzhgojmë situatën përmes trupave tanë, ekipeve ndërlidhëse-vëzhguese që janë vazhdimisht në terren. Dhe me të vërtetë e vlerësojmë se situata do të jetë e qetë dhe stabile.

KOHA: A ka pasur pandemia ndonjë efekt në këto aktivitete? Kur thoni se keni ekipe në terren për të komunikuar (me njerëz), ka qenë e vështirë për të gjithë gjatë këtij një viti e gjysmë.

Federici: E dini, pandemia i ka ndryshuar shumë fuqishëm jetët tona. Por, e dini, si forcë ushtarake, si forcë e madhe, kredibile dhe e shkathët do të thosha se kemi mundur të vazhdojmë t’i kryejmë aktivitetet tona ushtarake, civile, pra donacionet për komunitetin, pa kufizime apo probleme. Sigurisht, miratuam masa parandaluese shumë të rrepta, që janë shumë të famshme: larja e duarve, maskat dhe distanca sociale... Në ndërveprim me njerëz, dy metra distancë, pak më ndryshe, sesa kontakti me afërsi e me empati me njerëz. Por mendoj se, absolutisht, KFOR-i ishte i aftë që ta përmbushte misionin e tij.

KOHA: Si qëndroni me numra? Cili është numri i trupave tuaj sot? Thatë se ishin 55.000 në fillim, por filluan të pakësoheshin vit pas viti. Si qëndron gjendja me numra aktualisht?

Federici: Fuqia e tanishme e KFOR-it është diku 3.500 ushtarë, që vijnë nga 27 shtete të ndryshme. Në mesin e këtyre shteteve kemi anëtarë të NATO-s, por edhe partnerë të NATO-s. Pra, është forcë e përbërë nga shumë kombe që janë vlerë e shtuar për KFOR-in dhe gjendja e forcës është stabile. Aktualisht, nuk kemi ndonjë ide apo projekt që do ta ndryshojmë numrin e pjesëtarëve të KFOR-it. Dhe më lejoni që po ashtu ta theksoj se, siç thashë edhe më herët, fuqia e KFOR-it nuk është e caktuar për kohë konkrete, por lidhet me gjendjen në terren. Veç të tjerash, e dini se i vetmi trup që mund ta autorizojë ose të vendosë ta ndryshojë apo ta përshtatë forcën është Këshilli i Atlantikut të Veriut, që do të thotë konsensus ndërmjet 30 shteteve.

KOHA: Shtete të NATO-s?

Federici: Po, shtete të NATO-s.

KOHA: Po cilat janë diskutimet lidhur me Kosovën? Cilat janë pikat të cilat ata duan t’i shohin dhe të thonë se: po mirë ndoshta është koha që të bëjnë diçka lidhur me

misionin?

Federici: Gjëja më e rëndësishme është stabiliteti. Sepse, siç e dini, siguria që e kemi sot, siç thashë e vlerësoj si stabile e të mirë, ndikohet nga faktorë të shumtë, ekonomikë, pandemikë dhe e dini kur të rregullohen këto, do të ketë diskutim në nivelin politik, që si përfundim të përshtatet misioni.

KOHA: Pra, është vendim politik në fund?

Federici: Absolutisht po.

KOHA: Ju jeni ushtar, por vareni nga zhvillimet politike?

Federici: Absolutisht po. Jam ushtar dhe si unë ashtu edhe KFOR-i nuk merremi me politikën.

KOHA: Por politika merret me ju?

Federici: Po, e dini... Ajo që themi ne është që e mirëpresim çdo hap përpara që mund të kontribuojë në përmirësim më të madh të situatës në terren.

“Nuk ka ndodhur kurrë që pala serbe të kalojë vijën administrative kufitare”.

KOHA: Jeni këtu që nga nëntori. Në ndërkohë i keni parë dy qeveri në Kosovë dhe keni pasur ndërveprim me ta si zakonisht. Si do ta cilësonit bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe politikanët këtu?

Federici: Do të thosha se që nga fillimi ka pasur dhe ka ende bashkëpunim me të gjitha institucionet e Kosovës. Dhe mendoj se që nga ardhja ime këtu, marrëdhëniet tona kanë qenë gjithherë shumë profesionale dhe të lidhura në mënyrë strikte në të mirën e njerëzve në Kosovë dhe, e dini, të orientuara drejt një sigurie gjithnjë e më të mirë në terren. Po. Pra, absolutisht marrëdhënie të mira.

KOHA: Kur flasim për vlerësim të sigurisë në këtë shoqëri mendojmë zakonisht për probleme në vatra të nxehta të caktuara, “hotspots”, siç i themi, një nga ta është veriu. Çfarë mund të na thoni sot? Cila është gjendja e sigurisë në veri? Sepse nëse i lexon mediat serbe apo kosovare, ndonjëherë të krijohet përshtypja se është ambient shumë i tensionuar dhe shumë i pasigurt.

Federici: Më lejo ta ritheksoj: gjendja e sigurisë është stabile, është e mirë dhe nuk bëj kurrfarë dallimi ndërmjet veriut, perëndimit, jugut e kështu me radhë. Në terma të përgjithshëm, mund të vlerësoj se gjendja është stabile. KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën, jemi të gatshëm, çfarë do të doja të theksoja është se KFOR-i që nga fillimi e bën këtë dhe e kemi vazhduar këtë proces. Dhe ka ndërtuar bashkëpunim me të gjitha institucionet në nivel qendror, por edhe në nivel lokal. Po flas për shembull për nivelin komunal. Kam shumë kontakte me kryetarët e komunave. Komandantët nën udhëheqjen time kanë kontakte të rregullta me kryetarët e komunave, duke i përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, vetëm për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe përsëri po e them, komunat e veriut nuk përbëjnë përjashtim.

KOHA: Jo, por gjithmonë e bëjmë këtë pyetje, sepse kujtojmë se para pak vitesh kishte barrikada dhe tensione, dhe ka deklarata nga politikanët që na bëjnë të besojmë se stabiliteti është i brishtë dhe se nuk e dimë nëse do të vazhdojë.

Federici: Situata aktuale është stabile. Më lejoni të shtoj se unë kam kontakte të rregullta me shefin e forcave ushtarake serbe, që është edhe, të themi, partner shumë i rëndësishëm i KFOR-it, sepse kemi patrulla bashkë përgjatë vijës administrative kufitare dhe është me rëndësi t’i mbajmë këto marrëdhënie edhe sa u përket komunave veriore.

KOHA: Ndoshta ju kujtohet se ka pasur momente të shumta kur këto patrulla të përbashkëta janë kritikuar nga komunitetet lokale në disa zona kufitare, në disa komuna, sepse zona (kufiri) nuk është i përcaktuar. Mendojmë se ndonjëherë kemi pasur ankesa se ushtria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës.

Federici: E di se në të kaluarën ka pasur disa çështje kundërthënëse. Qëkur kam ardhur mund të vlerësoj se nuk ka ndodhur kurrë do të thosha po ashtu, aksidentalisht, që të kalohet vija administrative kufitare. Ka pasur dyshime në dy raste. Por kemi mundur t’i identifikojmë se nuk kanë qenë forca serbe, por patrulla të KFOR-it.

KOHA: Pse janë të domosdoshme këto patrulla të përbashkëta, cila është arsyeshmëria politike apo ushtarake prapa saj?

Federici: Logjika është që të garantohet mostensionimi në vijën kufitare administrative. Meqë ra fjala, këto aktivitete parashihen në Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake apo Marrëveshjen e Kumanovës, ka trup të dedikuar në selinë e KFOR-it, që është Këshilli i Përbashkët Zbatues që merret rregullisht me palën serbe, por objektivi apo qëllimi kryesor është stabiliteti përgjatë vijës administrative kufitare. Duhet të them se bashkëpunimi me forcat serbe është mjaft i mirë tani për tani.

KOHA: Një nga çështjet që ngrihen kur diskutohen këto çështje është se cili është, se prej ku mendoni se vjen, nëse ekziston ndonjë kërcënim për sigurinë? Nëse keni bashkëpunim me forcat serbe, mund të dalim në përfundimin se nuk kemi arsye për të besuar se ata mund ta kërcënojnë ambientin e sigurt në Kosovë. Keni bashkëpunim edhe me institucionet tona, pra s’ka kërcënim përbrenda. Prej kujt duhet të frikësohemi që stabiliteti mund të dëmtohet?

Federici: E dini… KFOR-i e monitoron gjendjen vazhdimisht në nivel lokal për ta ndier atmosferën lokale, për ta kuptuar nëse ka probleme të caktuara. Siç thashë më herët, siguria është temë shumë e gjerë që ndikohet nga plot e përplot faktorë. Dhe është me rëndësi që KFOR-i ta vëzhgojë në vazhdimësi situatën dhe më lejoni ta theksoj edhe rolin e rëndësishëm, shumë të rëndësishëm të Ekipit Ndërlidhës Monitorues (LMT), që janë vazhdimisht në terren. Flasin rregullisht me njerëzit, me kryetarë të komunave dhe kjo është mënyra për ta kuptuar dinamikën në terren dhe të jemi të informuar rreth problemeve dhe telasheve.

Mandati i FSK-së, forcë e mbrojtjes civile

KOHA: Thatë se për të gjithë territorin, veriun e jugun, të gjithë territorin që është në mandatin tuaj e trajtoni njëjtë. Por veriu është përmendur vazhdimisht edhe për shkak të zhvillimit më të ri politik që e kemi parë, që Qeveria e Kosovës i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që ta shohë se a është apo jo marrëveshja ndërmjet ish-kryeministrit të Kosovës dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s lidhur me lëvizjen e FSK-së në veri në përputhje me Kushtetutën. Që domethënë se nëse gjykata thotë potencialisht se nuk është në përputhje me Kushtetutën, mund ta ketë njëfarë efekti. Pra, cili është raporti dhe cila është marrëveshja apo procedurat për përfshirje të FSK-së, nëse mund të përfshihet, në ushtrimin e mandatit të tyre edhe në veri?

Federici: Pozicioni i NATO-s dhe ai i KFOR-it lidhur me FSK-në ka qenë i qartë e konsistent që nga fillimi. NATO-ja dhe KFOR-i mbështesin zhvillimin e FSK-së brenda mandatit të saj fillestar, të një force të mbrojtjes civile. Po flasim për katër qëllimet kryesore që njihen nga NATO-ja, ku hyjnë: zjarrfikësit, kërkim-shpëtimi, aktivitetet deminuese dhe trajtimi i materialeve të rrezikshme. Në këtë kuptim, KFOR-i po bashkëpunon në vazhdimësi me FSK-në dhe do të thosha se po tregojnë kapacitete shumë të mira në këto fusha. Më lejoni ta përmend, për shembull, urën e rëndësishme që e ka ndërtuar FSK-ja së fundmi pas vërshimeve para ca muajsh. Ishte operacion shumë i suksesshëm. Kishin sukses në ndërtimin e urës në Kamenicë. Dhe mendoj se në këto fusha me të vërtetë po tregojnë kapacitete të mira. Këto janë fushat në të cilat ne po bashkëpunojmë me FSK-në.

KOHA: Çfarë mund të na thoni për zhvillimet politike para ca vitesh, kishim një ligj në Kuvend që thoshte se FSK-ja është ushtri, ndoshta aspiron të bëhet ushtri, por ushtri... A e pengon kjo bashkëpunimin e plotë, meqë po thoni se e njihni vetëm mandatin fillestar të saj?

Federici: Absolutisht, kjo është... Pozicioni i NATO-s ka qenë i qartë që nga fillimi në këtë çështje dhe këto janë fushat në të cilat unë mund të bashkëpunoj me FSK-në. Më lejoni ta përmend, po ashtu, se NATO-ja ka vendosur që ta themelojë një trup tjetër të NATO-s këtu në Prishtinë, që nuk merret me siguri, por me zhvillimin e FSK-së, që është NALT-i apo Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s, që është i ndarë nga KFOR-i, krejtësisht i ndarë dhe që i përgjigjet direkt Brukselit, selisë së NATO-s.

Manastiri i Deçanit, i vetmi objekt fetar që ruhet nga KFOR-i

Image

KOHA: Një çështje e shumëpërfolur, ku KFOR-i e ndoshta edhe ju keni qenë të përfshirë personalisht kohë pas kohe, ishte siguria e Manastirit të Deçanit në veçanti, por në përgjithësi kishat dhe manastiret ortodokse. E kemi parë së fundmi se ka pasur edhe zhvillime politike, ku Qeveria jonë i ka shkruar disa letra UNESCO-s dhe organizatës “Europa Nostra”. Nuk e di se në ç’masë keni qenë të përfshirë, por besoj se KFOR-i ishte prezent në diskutimet ndërmjet Manastirit të Deçanit dhe nivelit komunal. Çfarë mund të na thoni për gjendjen së pari dhe a mendoni se ka arsye për t’u frikësuar për këto objekte? Dhe çfarë mund të thoni për dialogun që duhet të çojë në ndonjë lloj zgjidhjeje, që duhet të jetë e pranueshme edhe për komunën atje, edhe për kishën po ashtu?

Federici: Faleminderit! Pra, më lejo ta ritheksoj se gjatë viteve gjendja e sigurisë, e dini, ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe kjo e përfshin edhe gjendjen e objekteve fetare ortodokse serbe. Jam i sigurt që jeni në dijeni se KFOR-i ka filluar t’i ruajë dhe t’i mbrojë mbi tetë objekte fetare, objekte fetare ortodokse serbe në të kaluarën... Por, për shkak të ndryshimit të situatës, aktualisht KFOR-i ruan vetëm manastirin “Visoki Dečani”. Kishat e tjera ortodokse serbe ruhen nga Policia e Kosovës apo s’ruhen fare. Mendoj se ky është indikacion shumë i rëndësishëm se gjendja është shumë më e mirë se në të kaluarën, por sigurisht ne besojmë dhe unë besoj se të gjitha monumentet fetare dhe trashëgimia kulturore janë të vlefshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë... Është trashëgimi botërore... Është me rëndësi të ruhet. Kjo është arsyeja për të cilën u bëj thirrje të gjithëve dhe e bëj këtë sa herë e takoj dikë, u bëj thirrje të gjithëve që të sigurohen që të gjitha monumentet kulturore e fetare të respektohen dhe të ruhen.

KOHA: A nuk e keni përshtypjen se është bërë më shumë çështje politike sesa e sigurisë, sepse ajo që po shohim është konflikti në nivel politik tërë kohën? Nuk pamë, të paktën nuk dimë që ka pasur ndonjë incident që ka pasur kërcënim real.

Federici: E përmendët edhe më herët. Unë jam ushtar dhe ajo që po bëj tani është ta mbroj dhe ta ruaj manastirin “Visoki Dečani”. Mendoj se KFOR-i po bën punë të mirë dhe ajo që ka të bëjë me politikën ka ndikim në terren. Sidoqoftë, përsëri ne jemi në Deçan, jemi këtu dhe komandanti i rajonit perëndimor ka përfshirje të plotë për ta përshtatur pozicionimin e trupave me situatën dhe po vazhdojmë ta mbrojmë atë.

KOHA: Por çfarë mendoni se duhet të ndodhë që të themi: e po, në rregull, po ia lëmë policisë që ta ruajë edhe Manastirin e Deçanit? Pse është më ndryshe për shembull me atë të Graçanicës?

Federici: E dini... Janë dy çështje që janë ende në ajër në atë fushë dhe besoj se pa u bërë i mundshëm rregullimi i këtyre dy çështjeve është me rëndësi që KFOR-i ta mbajë pozicionimin e tij ashtu siç është tani.

KOHA: Po flisni për zonën e sigurisë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo jo?

Federici: Po. Po.

KOHA: Në rregull, s’do t’ju shtyj shumë kah politika.

Federici: Jo, jo, në rregull është.

KOHA: Por siç e dini, unë dhe ju jemi të ndikuar nga zhvillimet politike në një formë apo tjetër. Pra...

Federici: Më falni, është pak më ndryshe. Ju ndikoheni. Unë marr urdhra nga zinxhiri komandues më i lartë se unë. Po, po.

KOHA: Por urdhri është i ndikuar si pasojë e shqyrtimit politik. Po. Ndonjëherë, unë jam i ndikuar, pasi që më duhet ta përcjell se çfarë po ndodh. Por në përgjithësi përpiqemi të mos ndikohemi në mendime.

Federici: Absolutisht.

KOHA: Gjeneral, si është jeta juaj e përditshme këtu? Siç thamë më herët, jeni këtu që nga nëntori, keni ardhur në mesin e pandemisë, pandeminë e kemi këtu ende. Po shpresojmë të ikë. Kemi vaksina tash dhe gjithçka po shkon ngadalë drejt normales. Por sa normale apo sa e zakonshme, apo sa tipike ka qenë jeta juaj gjatë këtyre tetë muajve?

Federici: Një ditë normale për mua fillon normalisht me pranimin e raportimit (breifing) të mëngjesit, ku i marr më të rejat nga nata e mbrëmshme nga të gjitha degët e stafit. Çfarë përpiqem të bëj gjithnjë, është që nga njëra anë të mbaj bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, por edhe të kujdesem për ushtarët e mi në terren. Më pëlqen shumë t’i vizitoj në terren. Ushtarët e KFOR-it janë vlera më e rëndësishme për mua, për KFOR-in, dhe mendoj që meritojnë të respektohen dhe të trajtohen dinjitetshëm dhe kjo është arsyeja pse më pëlqen shumë t’i vizitoj.

KOHA: Nuk i shohim aq shumë si më herët. Në fillim, pas luftës, kishim trupa e patrulla të dukshme, por tash KFOR-i nuk është edhe aq prezent në vende urbane.

Federici: Po, e dini, po ashtu nuk ka kërkesë për patrulla. Patrullimi në qytet nuk është kërkesë aktuale. Është më me rëndësi të qëndrosh ndaras dhe të mos jesh aq i dukshëm. Sigurisht, të jesh i gatshëm në çdo moment, por nuk mendoj se sot është e nevojshme të patrullosh në Prishtinë apo në qytete të tjera.

KOHA: Gjatë karrierës suaj ushtarake keni qenë pjesë e misioneve të ndryshme. Keni qenë pjesë e misioneve në Afganistan, e siç kam lexuar edhe në Liban, edhe në Bosnjë goxha herët pas luftës. Keni të drejtë. Tash jeni këtu, por keni qenë edhe në disa struktura të komandave të NATO-s dhe në struktura italiane të komandës. A mund të na tregoni se si është Kosova krahasuar me misionet e tjera?

Federici: Në terren... dhe çfarë është njëjtë, ndoshta, a ka ndonjë ngjashmëri ndërmjet këtyre misioneve? Më lini t’ia filloj nga ajo që është e njëjtë, sepse mendoj se është aspekti më i rëndësishëm nga karriera dhe përvoja ime në shtetet që i përmendët. Dhe kjo është raporti njerëzor me njerëzit. Përbrenda operacioneve të NATO-s dhe përbrenda operacioneve të OKB-së është e rëndësishme që t’i trajtojmë njerëzit me respekt e dinjitet. Nëse u ofrojmë respekt e dinjitet, na kthehet
respekti e dinjiteti (nga ta). Pra, çfarë është e ngjashme në këto operacione, është fakti se unë dhe ne, vërtet marrim mesazh të rëndësishëm njerëzor dhe mendoj se kjo është vlerë shumë e rëndësishme për mua, jetën time, dhe jo vetëm profesionalisht, por edhe nga këndvështrimi thellësisht personal.

KOHA: Po për dallimet. Kosova në raport me vendet e tjera çfarë veçantie ka?

Federici: E dini. Çdo shtet e ka historinë e vet, dinamikën e vet të brendshme, mentalitetin dhe është me rëndësi t’i kushtosh vëmendje dhe format e ndryshme për t’u marrë me njerëzit në terren. Por më lejoni ta përmend Libanin, që është shtet multikulturor dhe me fe të shumta. Ta mendoni... ka tetë fe të ndryshme dhe njerëzit jetojnë në paqe të mirë së bashku. Dhe mendoj se ky është një shembull shumë i rëndësishëm për t’u marrë.

KOHA: Por s’ishte gjithmonë ashtu në Liban.

Federici: Po, nuk ishte gjithmonë ashtu, por kam qenë atje. Më lejoni t’jua tregoj një histori të shkurtër. Isha komandant i një brigade dhe siç bëjmë edhe këtu, në Kosovë, i bëjmë edhe disa projekte për mbështetjen e popullatës. E mora një kërkesë për takim nga kryetari i komunës së një fshati, sepse donte të më kërkonte mbështetje. I thashë sigurisht, ejani. Ishte e jashtëzakonshme, sepse nuk ishte vetëm kur erdhi për të më vizituar. Ishte me imamin, ishte me priftin katolik, ishte me priftin e maronit. Ata erdhën së bashku për të kërkuar mbështetje jo për njërin apo tjetrin, por për popullsinë e fshatit. Dhe mendoj se kjo ishte ngjarje shumë me rëndësi.

KOHA: A keni ndonjë histori nga Kosova që do të mund ta ndanit me njerëzit pasi të largoheni nga këtu? Diçka që ju ka bërë përshtypje nga Kosova. E kuptoj që ka qenë pandemi, ndoshta s’keni pasur kontakt...

Federici: Përgjithësisht, nuk kam ndonjë ngjarje konkrete dhe përgjithësisht, siç thashë tashmë, sa herë që takohem jo vetëm me njerëz nga institucionet në Kosovë, njerëz shumë të rëndomtë e kam një ndjenjë të mirë dhe ndihem shumë i mirëpritur. Është shumë mirë ta shohësh se njerëzit na besojnë, e besojnë KFOR-in, sepse po e kaloj rreth një vit duke e mbështetur KFOR-in.

KOHA: Zakonisht kur janë bërë sondazhe, KFOR-i paraqitej në krye të listës, si institucion shumë i besueshëm bashkë me Policinë e Kosovës. Ma merr mendja edhe FSK-ja është gjithmonë në treshen e parë. A e ndieni këtë besim në takime me njerëz dhe institucione?

Federici: Sinqerisht po.

KOHA: Pavarësisht komunitetit?

Federici: Po, absolutisht po.

KOHA: Çfarë mendoni për të ardhmen e këtij misioni? Mandati juaj është i hapur, mandati juaj personal, sa është një vit apo dy vjet?

Federici: Po, një vit.

KOHA: Pra, deri në nëntor. Pra, me gjasë do të largoheni, por misioni do të vazhdojë, por a mendoni se ka ndonjë ide se sa mund të vazhdojë ky mision kështu?

Federici: Prania e KFOR-it nuk është e lidhur për ndonjë afat të caktuar. Pra, s’ka kohë të caktuar kur mund të thuash ne mbërritëm në këtë ditë dhe do të largohemi në këtë ditë. Ky është proces dhe procesi do të menaxhohet nga nivelet më të larta, në nivel politik brenda Këshillit të Atlantikut të Veriut. Tani për tani nuk kemi ndonjë projekt për ta reduktuar forcën apo për t’ia ndryshuar mandatin. Pra, nuk mund ta them sa do të qëndrojë KFOR-i këtu, por për çfarë mund t’iu siguroj është se kur KFOR-i është këtu, do t’i përmbushë detyrat e veta, ashtu si në të kaluarën.

KOHA: E di që ju, ashtu si pararendësit tuaj, keni moton tuaj për misionin. Ndoshta mund ta ndani me shikuesit tanë.

Federici: Faleminderit për pyetjen! Saktë. Çdo komandant e zgjedh moton që e veçon misionin njëvjeçar dhe motoja që kam zgjedhur për kolegët e mi, djemtë e mi është: “Si një tërësi përparojmë”. Kjo është me rëndësi që ta theksoj. Kur them se “si një” i përfshij të gjithë që e mbështesin punën tonë për zhvillimin e Kosovës, për t’u bërë më stabil dhe më stabil së bashku.

KOHA: Por kjo s’është vetëm për vendet e shtetet anëtare dhe trupat, është edhe për shoqërinë apo jo?

Federici: Do të doja të të përfshija edhe ty në këtë “tërësi”.

KOHA: Epo mua më duhet të jem i pavarur...

Federici: Absolutisht.

KOHA: Pra, distancë nga ju dhe misionet e tjera, po ashtu. Si gazetarë ne duhet ta kemi distancën kritike. Por është me rëndësi që njerëzit ta kuptojnë se...

Federici: E dini, besoj fuqishëm në punën në ekip, pra besoj se puna në ekip dhe kohezioni janë aspekte shumë të rëndësishme të një misioni ushtarak edhe në Kosovë. Ekipi është, e dini... fuqia e ekipit është individi dhe fuqia e individit është ekipi, dhe kjo është arsyeja pse e besoj.

KOHA: E si po funksionon ekipi juaj duke e ditur që trupat tuaj vijnë nga 27 shtete, siç thatë disa nga shtete të NATO-s e disa jo, me nivele të ndryshme të përgatitjes ushtarake ndoshta?

Federici: Nuk ka ndonjë problem, të gjitha kombet i kanë caktuar trupat e tyre këtu dhe janë pajtuar për misionin e KFOR-it dhe kjo do të thotë se ka kohezion. Kohezion ka, përndryshe nuk do t’i dërgonin trupa KFOR-it. Nga ana tjetër, NATO-ja është aleancë goxha e standardizuar, pra niveli ndëroperacional ndërmjet të gjitha shteteve është shumë i lartë. Dhe e fundit, ne bëjmë ushtrime të përbashkëta në Kosovë me të gjitha kombet.

KOHA: Po pyes edhe sepse ka pasur disa raporte se ka kontingjente të reja që po vijnë. Nga Kroacia, dhe nga Mali i Zi, siç më duket se thatë më herët, e fundit që iu bashkua ishte Maqedonia. Shumë njerëz mund të pyesin se sa mund të funksionojë mirë, kur ke ushtarë nga Mali i Zi, nga Shqipëria, Gjermania, Italia, nuk e di ndoshta edhe nga Ukraina.

Federici: E dini, nga perspektiva e KFOR-it, nga perspektiva e përbashkët e komandës së KFOR-it, ne po e përmbushim këtë mision si tërësi e vetme. Të gjitha ato kombe janë pjesë e NATO-s, pra s’ka kurrfarë dallimi nga këndvështrimi ushtarak, ndërmjet një ushtari shqiptar, italian apo kroat, sepse të gjithë janë anëtarë të NATO-s.

KOHA: Në një standard, pra.

Federici: Kjo është arsyeja pse NATO-ja është NATO dhe të gjitha shtetet që dërgojnë trupa për KFOR-in janë besimtarë dhe njohës të misionit të KFOR-it.

KOHA: Mirë, e di që është herët, sepse do të jeni këtu edhe për pesë a gjashtë muaj, por a keni ndonjë ide se a do të ktheheni në Itali pas misionit këtu, apo do të shkoni në mision tjetër?

Federici: Do të shkoj në Itali, por ju lutem të mos më pyesni ku, sepse është e paqartë (ku saktësisht).

KOHA: Jo, nuk po ju pyes se ku, vetëm po ju pyes pasi që edhe ju ushtarët keni familje. Sa e vështirë është që të shkoni larg tyre për një vit apo edhe më gjatë, pa të dashurit tuaj?

Federici: Është sfiduese. Jo vetëm për mua, por edhe për ushtarët, e veçanërisht për familjet tona, që janë pjesa kryesore e profesionit tonë. Sepse jemi, e dini, ushtarë dhe e dimë, por familjeve tona kur jemi larg u duhet t’i bëjnë të gjitha aktivitetet që ndahen nga anëtarët e familjes dhe kjo s’është e lehtë. Pra, familja është pjesë shumë e rëndësishme për secilin ushtar.

KOHA: Faleminderit për këtë intervistë! Ndoshta doni ta përfundoni me ndonjë mesazh për shikuesit tanë, për atë që ju e mendoni se është me rëndësi për këtë shoqëri. Nëse shoqëria ju ndihmon që të jeni si një tërësi e vetme për të përparuar, çfarë prisni nga populli kosovar, nga institucionet kosovare, ku mendoni se mund të bëjnë më shumë?

Federici: Po, më lejoni t’i them dy gjëra. Një është më e përgjithshme dhe do të them se mbështetem në secilën forcë, që të jenë të përmbajtur çdoherë dhe t’i mbështesin të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për Kosovë paqësore, të qëndrueshme e jetëgjatë, dhe nga ana tjetër një qasje më njerëzore, të themi. Do të thosha të jeni optimistë për të ardhmen, sepse jam optimist dhe mendoj se do të arrijnë kohë të mira.

KOHA: Epo le ta shohim se ç’do të bëjnë politikanët, sepse siç thamë, varet nga ta shpesh. E kemi dialogun me Serbinë që është duke vazhduar, që do të rifillojë së shpejti e shumë gjëra mund të varen nga atje.

Federici: Keni të drejtë, por optimizmi nuk lidhet me politikën, është ndjenjë e brendshme, diçka që duhet ta kesh për çdo ditë.

KOHA: Po, kosovarët janë zakonisht më optimistët në Evropë kur na pyesin, por sidoqoftë faleminderit për intervistën gjeneral. Shpresoj t’ju shoh së shpejti para përfundimit të mandatit tuaj dhe në ndonjë rast që vlen për t’u festuar si sukses.

Federici: Faleminderit shumë dhe faleminderit shumë popullit kosovar!

KOHA: Faleminderit!